Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump ka deklaruar se Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi duhet të publikojë çdo informacion të besueshëm në lidhje me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Thirrja e Trump vjen pas një sërë kritikash ndaj prokurores, e cila tha se nuk kishte prova të mjaftueshme që Epstein po shantazhonte figura publike.
Në një deklaratë për mediat, Trump u shpreh se nuk e kuptonte këtë magjepsje për çështjen Epstein dhe bëri thirrje për transparencë.
“Nuk e kuptoj pse janë kaq të interesuar. Ai ka vdekur prej kohësh, nuk ka qenë kurrë një faktor i madh në aspektin e jetës. Nuk e kuptoj pse çështja Jeffrey Epstein është kaq interesante për këdo. Është diçka mjaft e mërzitshme. Le të publikojnë çdo informacion që e konsiderojnë të besueshëm,” tha Trump.
Vdekja e Epstein në vitin 2019 në një burg amerikan, ndërsa priste gjyqin federal, u cilësua si vetëvrasje.
Pas valës së kritikave në rritje ndaj prokurores, Trump e mori në mbrojtje duke deklaruar se ajo po bën një punë fantastike.
Nga ana tjetër, Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi shmangu pyetjet në lidhje me komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Në konferencën për shtyp ajo u pyet nëse është e përgatitur për të publikuar informacionet e besueshme për Epstein.
Kur çështja Epstein u bë publike, përfshiu politikanë dhe miliarderë të shumtë. Në korrik të 2019, u akuzua për trafikimin e minoreneve për përfitime seksuale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
