Marrëveshja e mundshme mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për dorëzimin e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut ka hapur një debat të madh në Ukrainë.

Para takimit me Putinin në Alaskë, Trump foli për “shkëmbim territoresh”, një formulim që ngjalli konfuzion te ukrainasit. Por, sipas burimeve, në realitet plani konsiston në dorëzimin e plotë të Donbasit Rusisë në këmbim të një ngrirjeje të vijës së frontit.

Rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, të pasura me minerale dhe industri, kanë kushtuar mijëra jetë ushtarësh dhe civilësh ukrainas gjatë mbrojtjes së tyre. Historiani ukrainas Yaroslav Hrytsak e quajti dorëzimin e tyre “një tragjedi” dhe “një akt tradhtie ndaj identitetit ukrainas”.

Ndërkohë, sondazhet tregojnë se rreth 75% e popullsisë ukrainase kundërshton çdo dorëzim territori. Presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur se nuk do të pranojë këtë kusht, por vendi është i lodhur nga lufta dhe shumë qytetarë shprehen se jeta e njerëzve është më e rëndësishme se territori.

“Unë e mas këtë luftë jo në kilometra, por në jetë njerëzish,” tha Yevhen Tkachov, një punonjës emergjence në Kramatorsk, raporton BBC.

“Nuk jam gati të sakrifikoj dhjetëra mijëra jetë për disa mijëra kilometra katrorë.”, shton ai.

Megjithatë, edhe ata që mendojnë për një kompromis kërkojnë garanci të forta sigurie nga SHBA dhe Evropa, jo vetëm premtime me shkrim.

Takimi i ardhshëm i Zelenskyt me Trump në Uashington pritet të qartësojë më shumë detajet rreth kësaj ideje dhe mundësisë së garancive të përbashkëta ushtarake perëndimore për Ukrainën.

/tvklan.al