E ftuar në programin “Rudina”, psikologia Anxhela Peza

Ankthi është një problem psikologjik gjithmonë e më shumë i përhapur jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri. Për të folur për këtë temë, për simptomat, por edhe si mund të trajtohet në programin “Rudina” ka qenë e ftuar psikologia, Anxhela Peza.

Me ankthin po përballen edhe personat publikë, të cilët kanë folur hapur për këtë temë, duke u kthyer në frymëzim. Por gjithashtu kanë sensiblizuar njerëzit që vuajnë nga ankthi apo probleme të tjera psikologjike.

I shikojmë të suksesshëm në profesionin e tyre, në karrierën e tyre dhe mendojmë se ata nuk kanë probleme, nuk kanë shqetësime dhe mbi të gjitha të pjesës së shëndetit mendor. Ata dinë mirë si të menaxhojnë veten, stresin, si të menaxhojnë jetën dhe ankthin. Kjo është një formë e mirë që ata flasin hapur dhe në këtë formë lobojnë edhe për psikologun, që ti drejtohen atij para se të shkojë gjendja më e agravuar për të vajtur tek mjeku apo tek psikiatri”, shprehet psikologia Peza.

Ka një sërë faktorësh risku që ndërveprojnë midis tyre në lindjen e çrregullimeve të ankthit. Këtu mund të përmendim problemet ekonomike, konfliktet familjare, sëmundjet kronike, abuzimi me alkoolin, traumat në fëmijëri, divorci i prindërve, divorci i partnerëve, humbja e personave të dashur, aksidentet automobilistike, prindër shumë kritikë, personat me mungesë besimi në vetvete, të mbingarkuar dhe një rol shumë të rëndësishëm luan trashëgimia.

Ankthi është një gjendje emocionale, psikologjike dhe fiziologjike ndaj të cilave njeriu reagon në mënyrë stresuese dhe shqetësuese me baza reale ose jo, kjo varet nga situata në të cilën ai reagon. Pra mund të vetë diagnostikohen duke kërkuar në internet apo vetë me simptomat që ata marrin parasysh nëse kanë djersitje të duarve, nëse kanë mërmëritje , nëse kanë frikë nga ndonjë gjë, nëse stresi i tyre është i vazhdueshëm dhe mund ta ngatërrojnë edhe me simptomat depresive. Ankthi i mirëfilltë është kur kemi një kohëzgjatje të simptomave dhe varet edhe nga ashpërsia e simptomave që ne kemi. Mund të jenë simptoma fiziologjike siç është dridhja e duarve, djersitja e shpeshtë, mund të kenë rrahje të shpeshta të zemrës, dridhja e trupit dhe pastaj kalojmë tek marrja e frymës, tharja e gojës, vështirësi në të shprehur dhe në të folur”.

Ajo çfarë është e rëndësishme, sipas psikologes, është kujdesi për stilin e jetës, ushqimi, sporti, gjumi, qëndrimi afër njerëzve që ndikojnë pozitivisht. Nëse njerëzit kuptojnë se vuajnë nga ankthi nuk duhet të marrin vetë ilaçe, por duhet të drejtohen tek psikologu.

Të tregohen të kujdesshëm me cilësinë e jetës që ata zgjedhin të bëjnë, ushqimin. Të bëjnë sa më shumë sport, të kenë program të mirë të rehabilitimit dhe gjumit sigurisht. Ka të bëj shumë me pozicionet e gjumit që ne kemi. Nëse ne shtrihemi me pozicionin me shpinë dhe kemi fytyrën lart, frymëmarrja është më e thellë, diafragma bie më poshtë dhe këto bëjnë që më mirë të çlirosh ankthin, stresin dhe të bësh një gjumë të rehatshëm. Të qëndroni me njerëz që nuk iu stresojnë, të vazhdoni një punë që iu pëlqen dhe të rrethoheni nga qetësia dhe dëgjoni muzikë se është më pozitive“./tvklan.al