Të inkurajuar nga një numër i vogël videosh virale, përfshirë disa të postuara nga një media spanjolle që synonin të nxirrnin në pah barrën e presioneve të migracionit, lëvizja e disa dhjetëra të rinjve u shndërrua shpejt në dhjetëra mijëra që notonin masivisht për të arritur në Ceuta.

Vendimi I Gjykatës Supreme të Spanjës, e cila tha se emigrantët e kapur në det nuk mund të ktheheshin menjëherë mbrapsht, shërbeu si katalizator.

“Mos u besoni kurrë atyre që ju thonë se nëse hyni në Ceuta, ata do t’ju kthejnë mbrapsht. Nuk do të ktheheni mbrapsht”, tha një burrë i ri maroken i filmuar në një rrugë në Gjermani në një video, e cila u fshi, por më vonë u ripostua nga llogari të tjera.

Shumica e videove dhe grupeve online që nxitën marokenët drejt Ceutës janë fshirë që atëherë.

Pamjet e transmetuara në internet nga El Faro të të rinjve që buzëqeshin në Ceuta patën efektin e padëshiruar të inkurajimit të më shumë njerëzve që të provonin kalimin, sipas emigrantëve të intervistuar nga Reuters. Qindra filluan të notonin përtej kufirit.

Të nesërmen, mediat sociale u përmbytën me video, ndërsa influencuesit me dhjetëra mijëra ndjekës postuan klipe të tyre duke notuar drejt Ceutës, disa me kostume noti.

Mounim Belhaj, një kujdestar qensh me 31,000 ndjekës në Instagram, tha se vendosi të shkonte pasi pa raportime për emigrantët që strehoheshin në qendrën e pritjes së Ceutës.

“Media spanjolle po tregonte trajtim të mirë ndaj emigrantëve që mbërrinin në Spanjë dhe kjo na inkurajoi shumë të shkonim atje”, tha ai.

Kishte edhe video mashtruese. Njëra, e parë miliona herë, tregonte një të ri me një shkop selfie duke notuar drejt asaj që disa postime e identifikuan si Ceuta, por në fakt ishte filmuar në një qytet në bregdetin Atlantik të Marokut më herët gjatë korrikut.

Të nesërmen në mëngjes, numrat u rritën ndjeshëm.

Grupet e bisedave online duket se kanë luajtur gjithashtu një rol. Një raport nga analisti spanjoll i sigurisë Chema Gil identifikoi dy grupe publike në WhatsApp të administruara nga numra telefoni algjerianë, me një total prej 3,700 anëtarësh, të cilat ofronin këshilla mbi rrugët për në Ceuta.

Bisedat i nxitnin anëtarët të lëviznin shpejt, me mesazhe të tilla si: “Ata që nuk lëvizin sot do të pendohen nesër”. Gil nuk mundi t’i identifikonte administratorët.

Klan News

/tvklan.al