Një tjetër projektligj që pritet të kalojë në Kuvend është edhe ai i marrëveshjes për financimin e projektit fotovoltaik solar nga KESH-i.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri me dije se ky projekt do të financohet nga një hua në vlerën prej 30 milionë euro nga BERZH dhe nga një grant prej 9.58 milionë euro, i siguruar nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Sipas tij, kjo do të ulë ndjeshëm koston e projektit dhe duke përmirësuar më tej qëndrueshmërinë financiare të investimit.
“Një tjetër element që vë në dukje rëndësinë e këtij projekti ka të bëjë edhe me kushtet e tranzicionit energjetik, ku Shqipëria synon të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të ulë varësinë nga prodhimi hidrik. Gjithashtu ai na mundëson diversifikimin e portofolit të aseteve gjeneruese të shoqërisë publike KESh sh.a., përmes rritjes së kapacitetit prodhues dhe shtimit të sigurisë teknike e financiare në përmbushje të nevojave të konsumit të energjisë”, tha Malaj.
Çfarë parashikon ky projekt?
“Ndërtimi i një impianti fotovoltaik me kapacitet 50 MWp në zonën e Belshit, si një nga rajonet me potencialin më të lartë diellor në Shqipëri, përfaqëson një hap strategjik, jo vetëm drejt modernizimit, por edhe rritjes së kapaciteteve të prodhimit bazuar në energjinë e pastër”, tha ministri Malaj.
Duke qenë se do të shtrihet rreth 8 kilometra nga nënstacioni i Kajanit, do të shfrytëzojë potencialin e lartë të rrezatimit diellor që vendi ynë ka gjatë gjithë vitit.
“Mbështetja e BERZH-it dhe grantit WBIF e bën këtë projekt më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe në përputhje me objektivat tona kombëtare”, tha Malaj.
Me ndërtimin e këtij impianti do të sigurohet rreth 1% e prodhimit vjetor të energjisë, ose rreth 2% e konsumit të energjisë në tregun e rregulluar.
Këto shifra mundësojnë rritjen e sigurisë së furnizimit, uljen e varësisë nga importi dhe rritjen e kapacitetet menaxheriale të rezervës hidrike të kaskadës së Drinit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
