Bardheblutë kanë ndeshje të vështirë me Dinamo Tbilisi

Tirana do të nisë mbrëmjen e sotme aventurën europiane për këtë sezon. Në Gjeorgji, në stadiumin “Boris Paitchadze”, bardheblutë do të përballen me skuadrën vendase Dinamo Tbilisi.

Në kampin bardheblu atmosfera është e qetë, trajneri, lojtarët dhe presidenti janë shpresëplotë se do të bëjnë më të mirën për t’u kualifikuar.

Në krahasim me formacionin e sezonit, Tiranës do t’i mungojnë Michael Ngo’o dhe Albi Doka. Besim i është dhënë të riut Ernest Muçi dhe afrimit të fundit Najdevski.

Do të jetë e vështirë pasi është vetëm një takim. Futbollistët e Dinamos e njohin më mirë terrenin dhe kanë nisur kampionatin prej 10 javësh dhe gjendet në vendin e dytë të renditjes.

I vetmi favor për Tiranën, nëse mund të quhet i tillë, është fakti se takimi do të luhet pa tifozë për shkak të masave të sigurisë shëndetësore.

Por objektivi kryesor i Tiranës dhe ai që duket se do të jetë më i arritshëm është pjesëmarrja në grupet e Europa League, sipërmarrje kjo e realizuar më parë nga Skënderbeu.

Tek Tirana shohin se në Europa League kundërshtarët janë thuajse të të njëjtit nivel, me të cilët edhe mund të kenë suksesin e dëshiruar.

Një faktor i rëndësishëm i pjesëmarrjes në grupe janë edhe të ardhurat ekonomike nga UEFA, si dhe e drejta e transmetimit.

 Tv Klan