Mbreti Charles III u prit në Shtëpinë e Bardhë me të gjitha nderimet që i kanë hije një monarku të një vendi mik, e sidomos me një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara, ish-koloni britanike që këtë vit feston 250-vjetorin e pavarësisë.

Ceremonia përfshiu të shtëna topash, parakalime ushtarake tokësore dhe fluturime avionësh luftarakë, duke respektuar protokollin më të lartë shtetëror. Kjo është vizita e parë e një monarku britanik në Uashington që prej vitit 2007, kur vendin e vizitoi mbretëresha Elizabeth II.

Vizita vjen në një moment të vështirë për marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat janë ftohur për shkak të qasjeve të ndryshme të administratës amerikane dhe qeverisë britanike ndaj luftës në Iran. Megjithatë, qasjen e Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt, Donald Trump e lidhi edhe me trashegimine britanike.

“Patriotët amerikanë që dhanë jetën për pavarësinë në vitin 1776, ishin trashëgimtarë të kësaj trashëgimie madhështore. Në venat e tyre rridhte guximi anglo-sakson”, tha presidenti i SHBA-ve.

Presidenti nuk i kurseu vlerësimet e larta për Mbretin, duke ndarë edhe një kujtim personal për nënën e tij me origjinë skoceze.

“Nëna ime… e mbaj mend shumë qartë kur thoshte: ‘Charles i ri, ai është shumë simpatik, shumë i lezetshëm’… kishte një pëlqim të veçantë për Charles-in”, deklaroi Trump.

Pas ceremonisë, takimi vijoi me dyer të mbyllura në Zyrën Ovale, ku palët diskutuan për çështjet e sigurisë dhe tregtisë. Axhenda e Mbretit Charles III mbetet e ngjeshur. Ai pritet t’i drejtohet me një fjalim historik sesionit të përbashkët të Kongresit Amerikan, duke u bërë monarku i parë britanik që e bën këtë që prej vitit 1991. Çifti mbretëror britanik do të qëndrojnë në SHBA deri të enjten.

Tv Klan

/tvklan.al