Një përplasje e ashpër mes studentëve antifashistë dhe mbështetësve të ekstremit të djathtë ka shpërthyer në Universitetin e Barcelonës, pas ndërhyrjes së paautorizuar të influencerit spanjoll Vito Quiles, i njohur si “Charlie Kirk-u spanjoll”, duke ndezur debat mbi lirinë e shprehjes dhe rritjen e tensioneve politike në kampuset universitare.

25-vjeçari nga Elche, i cili ka mbi 960 mijë ndjekës në Instagram dhe ka qenë i përfshirë në protestat e vitit 2023 kundër selisë së Partisë Socialiste, është përshkruar nga gazeta El País si “një agjitator i ekstremit të djathtë”.

Eurodeputeti Alvise Pérez, i njohur për qëndrimet ksenofobe dhe i përfshirë në katër hetime penale, e ka zgjedhur Quiles si zëdhënës dhe kandidat për zgjedhjet e vitit 2024. Vetë Quiles e përshkruan veten si “gazetar i pavarur dhe i lirë”.

Quiles e mori nofkën “Charlie Kirk-u spanjoll”, pas vendimit për të nisur një tur konferencash në universitete. Ndalesa e tij e parë, më 16 tetor, në Universidad Autónoma de Barcelona (UAB), pa leje nga rektorati, shkaktoi përplasje të ashpra mes studentëve antifashistë dhe atyre të ekstremit të djathtë. Policia ndërhyri për t’i ndarë, duke përdorur edhe masa të forta.

Konferenca ishte thirrur nga grupi studentor S’ha Acabat, por pa miratim zyrtar. Në kampus u mblodhën studentë të ekstremit të djathtë me flamuj spanjollë dhe slogane kundër kryeministrit Pedro Sánchez, si dhe studentë antifashistë me flamuj pro-palestinezë. Përplasjet përfshinë edhe hedhje objektesh, derisa policia ndërhyri.

Megjithëse u largua nga përfaqësuesit e universitetit, Quiles u shfaq në një pjesë tjetër të kampusit me megafon, duke iu drejtuar shkurtimisht mbështetësve të tij dhe duke deklaruar se po ushtronte lirinë e tij në një universitet publik. UAB reagoi me një deklaratë ku e cilësoi ngjarjen si “instrumentalizim” të institucionit.

Në rrjetet sociale, Quiles paralajmëroi një mobilizim të madh të rinisë spanjolle në ndalesën e radhës të turit të tij, në Universitetin e Granadës: “Rinia spanjolle nuk do të gjunjëzohet kurrë para totalitaristëve.”

Kjo ngjarje shton një tjetër episod në panoramën e larmishme të ekstremit të djathtë spanjoll, i cili, i mbështetur nga partia sovraniste Vox, po del gjithnjë e më shumë nga sfera digjitale në rrugë. Nga influenceri Pérez që u bë eurodeputet dhe shpalli kandidaturën e partisë së tij “Se Acabó la fiesta” për zgjedhjet e ardhshme, deri te rasti i Torre Pacheco, ku grupe supremaciste ksenofobe të organizuara në Telegram kryen patrullime anti-emigrantë që përfunduan me të lënduar dhe të arrestuar.

/tvklan.al