Ndërsa modelet e mëdha gjuhësore po marrin përsipër gjithnjë e më shumë detyra njohëse, studiuesit po paralajmërojnë se kjo mund të ketë një kosto për aftësitë tona mendore.

Kur studiuesja Nataliya Kosmyna po kërkonte praktikantë, ajo vuri re se letrat motivuese që merrte ishin shumë të ngjashme mes tyre: të gjata, të rregulluara mirë dhe shpesh pa lidhje të qartë me punën e saj. Për të ishte e qartë se aplikantët po përdornin modele të inteligjencës artificiale (LLM), si ChatGPT, Google Gemini dhe Claude.

Në të njëjtën kohë, gjatë mësimdhënies në MIT, ajo vuri re se studentët po harronin më lehtë përmbajtjet krahasuar me disa vite më parë. Kjo e bëri të dyshonte se përdorimi i shtuar i IA-së mund të ndikonte në mënyrën si mendojmë dhe kujtojmë.

“Delegimi mendor” te IA

Studiuesit po shqetësohen se varësia e tepërt nga IA mund të ndikojë në gjuhën që përdorim, në kujtesë dhe në aftësitë bazë njohëse. Ky fenomen quhet “cognitive offloading”, pra kur ia kalojmë mendimet dhe detyrat mendore teknologjisë. Sipas disa studimeve, kjo mund të ketë efekte negative në aftësitë tona mendore dhe madje të lidhet me rënie njohëse.

Shembuj të tillë janë parë edhe më herët me internetin, ku “efekti Google” tregoi se njerëzit mbajnë mend më pak detaje sepse mund t’i gjejnë shpejt online.

Por tani frika është më e madhe, pasi IA mund të shkruajë tekste, të japë këshilla financiare dhe të kryejë detyra komplekse në vend të njeriut.

Eksperimenti në MIT

Kosmyna dhe ekipi i saj në MIT Media Lab testuan 54 studentë që shkruanin ese. Ata u ndanë në tre grupe: një që përdorte ChatGPT, një që përdorte Google dhe një pa teknologji. Aktiviteti i trurit u mat gjatë punës.

Rezultatet treguan se ata që punonin pa teknologji kishin aktivitet shumë të lartë të trurit, ndërsa grupi me ChatGPT kishte deri në 55% më pak aktivitet në zonat e lidhura me kreativitetin dhe përpunimin e informacionit.

Gjithashtu, përdoruesit e IA-së kishin kujtesë më të dobët për atë që kishin shkruar dhe ndjenin më pak “pronësi” mbi punën e tyre.

Rreziku i “dorëzimit mendor”

Studime të tjera tregojnë se disa njerëz priren të pranojnë përgjigjet e IA-së pa i analizuar, duke e ulur mendimin kritik. Madje, efekte të ngjashme janë vërejtur edhe në mjekësi, ku përdorimi i IA-së për një periudhë mund të ulë aftësinë e profesionistëve për të punuar pa të.

Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu se përdorimi i tepërt i IA-së mund të ulë kreativitetin, pasi tekstet e prodhuara shpesh dalin shumë të ngjashme dhe pa origjinalitet.

A po rrezikohet aftësia jonë për të menduar?

Sipas disa studiuesve, “mendimi i thellë” është thelbësor për shëndetin e trurit. Nëse ia delegojmë gjithçka IA-së, truri punon më pak, gjë që mund të ketë pasoja afatgjata.

Nga ana tjetër, disa ekspertë thonë se IA mund të jetë e dobishme nëse përdoret si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësues i mendimit njerëzor.

Ata sugjerojnë një qasje “inteligjencë hibride”, ku njeriu mendon dhe analizon, ndërsa IA përdoret për të sfiduar ose përmirësuar idetë, jo për t’i zëvendësuar ato.

Një metodë e rekomanduar është edhe përdorimi i IA-së për të kundërshtuar idetë tona, duke na detyruar të mendojmë më thellë dhe të përmirësojmë argumentet tona.

/tvklan.al