Nga këshillat për marrëdhëniet familjare, shoqërore e ato në çift, zgjedhjet profesionale dhe deri tek problemet shëndetësore. Që nga momenti që inteligjenca artificiale u bë pjesë e përditshmërisë dhe jetës në shoqëri, gjithnjë e më shumë njerëzit po i drejtohen teknologjisë për të marrë përgjigje për dilemat apo problemet që mund të kenë. Nëse shqetësimet janë ndarë gjithnjë me të afërm apo miq të ngushtë, pse po kërkohen këshilla nga ChatGPT apo platforma të tjera?
“Duket sikur është më pak gjykues. Mund ta përdorësh atë në çdo orë të ditës apo të natës dhe duket se është aty për ty në çdo moment dhe në çdo kohë. Pra duket se është një mjet ku ti nuk ndjehesh i gjykuar”, tha prikologia Arjola Manreka.
Inteligjenca artificiale përdoret kryesisht për problemet me ankthin, pasiguri personale apo situata të caktuara emocionale. Po a duhen marrë në konsideratë këto këshilla që vijnë përmes një ekrani?
“Është një motor dhe asistent virtual që nuk ka emocion. Nuk ka asnjë lloj empatie ndaj komunikuesit. Nuk mund ta zëvendësojë kurrë rolin e psikologut. Mund të japë disa këshilla momentale se si mund ta qetësojë për momentin, ndërsa procesi i marrëdhënies terapeutike mes psikologut dhe klientit është tjetër gjë dhe një marrëdhënie që është njerëzore në fund të fundit”, shtoi Manreka.
Pyetjet më të shpeshta që iu drejtohen këtyre platformave janë ato që lidhen me shëndetin, për simptoma apo sëmundje. Por ekspertët e shëndetit ngrenë shqetësimin se një gjë e tillë mund të sjellë pasoja, pasi ka raste kur ChatGPT vendos edhe diagnozën.
“Vendoset mënyra si duhet të trajtohet individi. Kjo është shumë delikate. Kërkoni informacion, por mos e besoni 100%. E keqja është se kur inteligjenca artificiale gabon, kjo nuk është e dukshme, nuk ka vetëdije siç ka njeriu. Inteligjenca artificiale nuk e zëvendëson dot kurrë mjekun”, u shpreh Genta Qirjako, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.
Të gjithë e kemi gjetur si comfort të pyesin inteligjencën artificiale për pothuajse çdo gjë, por mos harroni se prapa ekranit nuk është një ekspert, një mjek, psikolog, këshilltar, gazetar, jurist apo një mësues, por është një chatbot që nuk mban përgjegjësi për çfarë thotë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 