Një pikë në Romë, por një rekord historik për Cristian Chivun. Barazimi 2-2 ndaj Romës i dha trajnerit të Interit një shifër simbolike dhe të rëndësishme, 100 pikë të grumbulluara në Serie A nën drejtimin e zikaltërve. Chivu e ka arritur këtë kuotë më shpejt se çdo trajner tjetër në historinë e Interit, duke lënë pas edhe një prej figurave që e ka frymëzuar në karrierë, José Mourinhon.
Por, përtej rekordit personal, sfida në Romë konfirmoi edhe një karakteristikë të Interit: skuadra di të reagojë. Zikaltërit u gjendën në disavantazh, por arritën të rikthehen dhe të marrin një pikë të vlefshme.
Megjithatë, pikërisht këtu qëndron edhe një nga aspektet që Chivu kërkon të përmirësojë. Pas ndeshjes, trajneri rumun theksoi se Interi duhet të jetë protagonist që në minutat e para dhe jo të presë momentin kur duhet të reagojë ndaj kundërshtarit.
Shifrat e konfirmojnë një nisje të rëndësishme të aventurës së tij në stolin zikaltër. Në 43 ndeshje në Serie A, Chivu ka regjistruar 31 fitore, 7 barazime dhe vetëm 5 humbje. Sezonin e kaluar, ai e udhëhoqi Interin drejt titullit kampion, me 87 pikë të grumbulluara.
Ndërsa në pesë javët e para të këtij sezoni, skuadra ka grumbulluar edhe 13 pikë të tjera. Me këtë rezultat, zikaltërit ndajnë të njëjtën kuotë pikësh me Romën dhe Lazion. Tani fokusi zhvendoset te sfida e radhës kundër Parmës, ku Interi do të kërkojë tri pikët, në një sezon ku objektivi mbetet sërish lufta për titullin.
/tvklan.al












Botërori 2026 
