29 dhjetor 2025 – Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka bërë sot bilancin për vitin 2025 të punës në institucionin që ai drejton.
Sipas tij, tre kanë qenë prioritetet kryesore të Gjykatës:
-Menaxhimi i backlogut (numrit i çështjeve që janë duke pritur për t’u shqyrtuar ose për vendim) në mënyrë të përgjegjshme
-Konsolidimi i praktikës gjyqësore
-Forcimi i legjitimetit institucional dhe transparencës
Në vitin 2025, Gjykata e Lartë ka dhënë 6 876 vendime, prej të cilave 2 506 nga Kolegji Administrativ, 2 395 nga Kolegji Civil, dhe 1 975 nga Kolegji Penal. Për 5 vitet e fundit janë dhënë 39 269 vendime, duke ulur backlogun me 61%, nga 36 150 në 14 081 çështje.
“Deri në vitin 2028, parashikohet të dalin nga Shkolla e Magjistraturës 670 gjyqtarë të rinj”, theksoi ai, duke bërë me dije se përgjatë këtij viti që po lëmë pas, çdo gjykatës ka marrë mesatarisht 429 vendime.
Sadushi veçoi cilësinë e dobët të rekurseve, si një mangësi në gjyqësor.
“Vetëm 40% e rekurseve në Kolegjin Civil, 29% në Kolegjin Administrativ, dhe 18% në Kolegjin Penal janë të pranueshme. Në çështjet administrative, organet publike humbën 55% të rasteve, ndërsa individët 42%. Në çështjet penale, prokuroria humbi 18.4%, ndërsa individët 80.2%“, deklaroi Sadushi.
Në fushën e burimeve njerëzore, aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë nga 417 të parashikuar, duke operuar me vetëm 73.6% të kapaciteteve.
Sipas standardeve CEPEJ, tha ai, Shqipërisë i nevojiten 587 gjyqtarë, duke treguar një mungesë të thellë të kapaciteteve krahasuar me nevojat reale.
“Gjykatat e Apelit funksionojnë me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar”, tha kryetari i Gjykatës së Lartë.
Dosjet “stok”, Sadushi: Këto janë kapacitetet, gjyqtari s’bën pushim
“Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është problematik”, u shpreh Sadushi, duke dhënë përgjigje mbi pyetjet e shumta që ekzistojnë kur vjen puna te zvarritja e çështjeve.
“32% e rekurseve për vitin 2025 e kanë marrë përgjigjen. Në Kolegjin Administrativ ka një pritshmëri të shpejtë nga ana e qytetarëve për çështjet e reja, çështjet e vjetra do të presin.
Kolegji Civil është në situatë më kritike, nuk e imagjinoni dot se në çfarë kushtesh punon një gjyqtar, nuk ka ditë pushimi, punon paradite dhe pasdite me dosje.
Gjyqtarët nuk po vegjetojnë, e rëndësishme është që angazhimi ekziston, por kjo kohë është e tillë që natyrisht kërkon një lloj sakrifice për njerëzit, më vjen keq ta them, por është bërë maksimumi. Nuk mund të na kërkohet llogari ne! Unë po ju them që gjyqtari e përfundon çështjen brenda afateve të mundshme këto kapacitete që ka në administratën e Gjykatës”, tha ai.
“2019-a me numrin më të madh të çështjeve”
I pyetur nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci, se tek cilat vite ndodhen aktualisht kolegjet, Sadushi sqaroi se viti 2019 shënon numrin më të lartë të çështjeve.
“Viti 2019 është viti me numrin më të madh të çështjeve. Pastaj, duke shpresuar që deri nga gjysma e dytë të ketë përfunduar ky vit, pastaj vitet e tjera do kalojnë shume shpejt e kolegji administrativ të jetë po ashtu si Kolegji Penal. Ndërkohë Kolegji Civil që ka numrin më të madh të çështjeve, e ka një ritëm shumë të lartë të çështjeve, po gjykon çështjet e vitit 2016 dhe 2017, e tek tuk ndonjë çështje të vitit 2018″, tha ai…(Lexo më shumë)












Botërori 2026 
