Mançester Siti përsërit veten në stadiumin “Etihad” duke mundur FC Kopenhagen me rezultatin 3-1, si në ndeshjen e parë në transfertë. Kampionët në fuqi janë në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, pas një ndeshjeje që e zgjidhën në pjesën e parë.

Cityzens kaluan në avantazh pas pesë minutash me Akanji. Në minutën e 9 Alvarez shënoi rrjetën e dytë. Danezët reaguan dhe shkurtuan disavantazhin në minutën e 29 me Elio-nusi.

Por në fund të shtesës së pjesës së parë, Haland vulosi fitoren. Në pjesën e dytë, anglezët u kujdesën që të menaxhonin rezultatin. Trajnerin Pep Guardiola, kjo fitore e kënaq.

“Unë e respektoj shumë Kopenhagenin! I jap shumë merita. Duket se rezultati i përgjithshëm 6-2, është lehtësisht i arritshëm. Nuk është e vërtetë. Madridi vuajti, ju e dini, për t’u kualifikuar ndaj Leipzig. Dhe ne kemi luajtur në të kaluarën ndaj tyre dhe njerëzit thoshin është e lehtë! Nuk është, përkundrazi është e vështirë. Gjithçka është e vështirë!”, tha Guardiola.

Mançester Siti shkon në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve për herë të 7 radhazi. Për anglezët, kjo është fitorja e 10 radhazi në këtë kompeticion, e vetëm Bajerni ka bërë më mirë me 15 triumfe.

Klan News

/tvklan.al