Manchester City është gati që t’i ofrojë Phil Foden një kontratë të re me vlerë 375,000 £ në javë.

Me Kevin De Bruyne të kufizuar për shkak të dëmtimeve në sezonin që sapo u mbyll, Foden e mori situatën nën kontroll dhe u kthye në futbollistin kyç të “Citysens”, duke ndihmuar ekipin që të fitonte titullin e katërt kampion radhazi.

24-vjeçari shënoi 19 gola në Premier League dhe kontribuoi me tetë asiste, ndërsa u shpall edhe futbollisti më i mirë i vitit në Angli.

Në vitin 2022, Foden firmosi një kontatë pesë-vjeçare me Sitin, ku do të përfitonte 200 mijë Paund në javë.

Por nisur nga interesimi i disa klubeve të mëdha europiane, drejtuesit e klubit anglez kanë vendosur që t’i bëjnë atij një rritje rroge.

Foden konsidrohet si element kyç për të ardhmen e ekipit. Sipas një raporti nga tabloidi ‘The Sun’, klubi është gati që të shpërblejë formën e tij të re duke i ofruar atij një kontratë që do ta vendoste në të njëjtin nivel me De Bruyne dhe Erling Haaland.

Nëse firmos, lojtari do të jetë pjesë e Citysens deri në 2030 dhe do të bëhej në futbollistin anglez më të paguar të të gjitha kohërave.

Por Foden është i përqendruar te Euro 2024, ku pritshmëritë janë të mëdha tek Anglia për mesfushorin 24-vjeçar.

Klan News