Doncin nuk vlen për Dallas, Atlanta Hawks mposht Philadelphian

Los Angeles Clippers është gjysmëfinalisti i radhës i Play Off-it në Konferencën e Perëndimit në NBA amerikan. Kalifornianët mundën 126-111 Dallas Mavericks në sfidën e shtatë çerekfinale, duke fituar 4-3 serinë e takimeve mes tyre.

Luka Doncic realizoi 46 pikë dhe 14 asist për Dallas, por nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Në kahun tjetër u dallua Leonard me 28 pikë e 10 rebound, mbështetur nga Morris me 23 pikë e George me 22 pikë e 10 asist. Në gjysmëfinale, Clippers do të luajnë ndaj Utah Jazz.

Ndërkohë, në Konferencën e Lindjes, ekipi i Atlanta Hawks fitoi 128-124 ndaj Philadelphia jashtë fushe, në sfidën e parë gjysmëfinale mes tyre. Sfidë me rivalitet deri në fund, ku për miqtë u dallua Young me 35 pikë e 10 asist, mbështetur edhe nga Collins e Bogdanovic, me nga 21 pikë secili.

Për Philadelphia shkëlqeu Embiid me 39 pikë, por që mbetën për statistikë. Philadelphia zuri vendin e parë në Lindje në sezonin e rregullt, por në Play Off po has vështirësi.

Klan News