Milani dhe Club Brugge janë larg një akordi për Ardon Jasharin. Klubi belg kërkon 40 milionë euro ta lërë të lirë shqiptaro-zviceranin.

Për Club Brugge nuk mjaftojnë 33.5 milionë euro plus bonuset e ofruara nga Milani për Ardon Jasharin. Klubi belg kërkon më shumë.

Sipas Gazzetta dello Sport, edhe pse përgjigje zyrtare nuk ka, drejtuesit e klubit belg kanë lënë të kuptohet se oferta nuk i kënaq. Pozicioni i Brugge duket se ka mbetur i pandryshuar: Jashari, për ta, vlen 40 milionë euro.

Ky vendim do të rriste edhe më shumë tensionin në një negociatë tashmë delikate. Jashari dëshiron të luajë vetëm për “Djallin” dhe pretendon se ka një premtim nga Brugge për ta lënë të lirë për një shifër rekord për klubin, e cila është ajo e ofruar nga Milani.

Por klubi belg, kur njohu ofertën e italianëve, kontaktoi klubet e Premier League të interesuara për të krijuar një ankand. Tani, dëshiron ta shesë shqiptaro-zviceranin në Angli.

Ditët në vazhdim do të tregojnë nëse do të arrihet një akord apo nëse Milani do të shohë për një tjetër alternativë. Ndërsa Jashari nuk do të jetë në fushë.

Brugge të premten do të luajë ndaj Mechelen-it në ndeshjen e dytë të kampionatit, pa mesfushorin. Ai do të jetë në Maqedoninë e Veriut, i ftuar në një dasmë, por e ka bërë të ditur prej kohësh se është dakord të stërvitet vetëm, por fanellën zikaltër nuk ka qejf ta veshë më!

Klan News

/tvklan.al