Sa kushton të jetosh në Tiranë? Kjo ishte tema e emisionit të sotëm në “Opinion” Tv Klan, ku ekspertët e shitblerjeve kanë dhënë shifra konkrete.

Sipas dy ekspertëve të ftuar në studio, zonat më të shtrenjta për të blerë banesa apo biznese janë Blloku dhe zonat përreth tij.

Ndërkaq ata kanë pohuar se çmimi për metër katrorë për banesa në këto zona, nis nga 1600 euro deri në 3500 euro.

Për një dyqan apo biznes në këto zona, çmimi shkon deri në 15 mijë euro për metër katrorë.

Blendi Fevziu: Vetëm çmimet e shtëpive nuk bien asnjëherë? Si shpjegohet?

Linda Kora: Nuk bien, se ashtu siç e përmendët Tirana është qendra e vendit, kurrsesi nuk ka si të ndryshoje, pasi kërkesat janë të shumta, ofertat i plotësojnë kushtet e kërkesave të treguat apo të blerësve dhe kemi një përputhje ideale në shumicën e rasteve.

Blendi Fevziu: Ka një pretendim që Tirana ka çmime shumë më të larta se qytete e tjera, jo vetëm të rajonit, por ndodhsha dhe disa vendeve të rëndësishme evropiane…

Erjon Xhaferaj: Kam frikë se krahasohet qendra e Tiranës me periferinë e qyteteve të mëdha. Mund të sjell një shembull… mund të thuhet se Tirana ka çmimet më të larta se në Romë apo në Paris, por pranë Kullës Eifel, ose të themi si në Bllokun e Tiranës, në Paris janë rreth 18 mijë deri në 20 mijë euro.

Blendi Fevziu: Kush janë zonat më të shtrenjta në Tiranë?

Erjon Xhaferaj: Gjithmonë flitet Blloku dhe do jetë gjithmonë, më i shtrenjti sot për sot… dhe zona përreth Bllokut.

Blendi Fevziu: Çfarë çmimesh ka Blloku?

Erjon Xhaferaj:Varet çfarë apartamentesh shikojmë. Nëse janë godina të ndërtuara para viteve 1990, çmimet variojnë tek 1200-1300 euro.

Blendi Fevziu: Edhe godinat e para viteve 1990? Vetëm sepse janë në Bllok?! Po godinat e reja?

Erjon Xhaferaj: Po sigurisht, sepse lokacioni është një nga kriteret kryesore për çmimin.

Blendi Fevziu: Po godinat e reja në zonën e Blloku?

Erjon Xhaferaj: Variojnë nga 1600-1700, deri në 2500-2600 euro.

Linda Kora: Dhe së fundmi 3000-3500 euro… cilësia paguhet Blendi. /tvklan.al