Çmimi i karburanteve ka shënuar rritjen nga tre deri në pesë lekë për litër në disa prej pikave të tregtimit në vend.

Më konkretisht, çmimi i naftës Eurodiesel ka arritur në 151 lekë për litër, ndërsa benzina 152 lekë.

Arsyet e shtrenjtimit, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, janë dy: Rritja e çmimit në bursat ndërkombëtare dhe akciza.

Viktor Nushi: “Edhe mbi bazën e liberalizimit dhe të ligjit të konkurrencës, veprohet në vendosje të çmimeve. Çmimi përcakton bursa ndërkombëtare dhe vlerësimi i dollarit në momente të caktuara dhe mbi të gjitha, norma e fiskalit.”

Por ndërsa për rritjen e çmimit të arit të zi në bursë, tregu shqiptar reagon menjëherë nuk ndodh kështu kur në tregjet ndërkombëtare ai pëson ulje.

Viktor Nushi: “Në Porto Romano futen anije 10 mijë-14 mijë tonëshe, dhe po ta zurim në çmimin e bursës në ngritje, do ditë që kjo influencë të gjejë zbutjen në treg.”

Arsyet lënë pak për të dyshuar nëse do t’i referohemi grafikut të çmimit të arit të zi në bursën ndërkombëtare që nga muaji Maj.

Siç shihet edhe nga grafiku, për gjashtë muajt e fundit çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka shënuar si rritje, po ashtu edhe ulje, por në tregun vendas gjatë kësaj periudhe nuk kemi parë të ketë ulje çmimi, qoftë edhe me 0.1 lekë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle