Në qytetin e Aachen-it, Gjermani, u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimit prestigjioz “Karli i Madh” ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama.

Këtë vit, çmimi iu akordua ish-kryeministrit të Italisë dhe ish-Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, për  angazhimin e tij për një Europë ekonomikisht të fortë, konkurruese dhe të bashkuar. Ne nje postim ne rrjetet e tij sociale Rama u shpreh.

“Kënaqësi dhe nder sërish, në Aachen të Gjermanisë, si pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të Charlemagne Prize, një nga vlerësimet më të rëndësishme europiane për kontributin në bashkimin dhe të ardhmen e Europës, ku sot europiani i madh Mario Draghi u vlerësua me Çmimin e Karlit të Madh 2026, në respekt të rolit të tij të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e stabilitetit ekonomik të Europës dhe nxitjen e projektit të një Europe të Bashkuar përtej kufijve të sotëm, me një treg shumë më unik, me aftësi mbrojtëse të vetëmjaftueshme, e me fuqi prodhuese e konkuruese shumë më të madhe”, tha kryeministri Rama.

Një fjalim të posaçëm mbajti kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtuesja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, si dhe personalitete të tjera të larta të politikës dhe institucioneve europiane. 

Çmimi “Karli i Madh” eshte një nga vlerësimet më të rëndësishme europiane që jepet prej vitit 1950 për personalitete të shquara të politikës, shkencës dhe diplomacisë, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për projektin e një Europe të bashkuar. 

Klan News

/tvklan.al