4 shqiptarë të moshës 30-50 vjeç kanë rënë në prangat e policisë italiane. Siç shkruajnë mediat e huaja, ata janë pjesë e një bande kriminale që merret me trafikimin e paligjshëm kryesisht të kokainës dhe armëve, me bazë në Bolonja. Mësohet se për rastin janë 19 persona nën hetim, mes të cilëve edhe një korrier italian (rreth 90 vjeç). Siç raportohet, është arrestuar edhe një tunizian. Ky i fundit bashkë me shqiptarët po importonin drogë nga Holanda.
Hetimi
Vetëm në periudhën Prill-Nëntor 2020, dyshohet se ky grup kriminal ka transportuar në Itali 41,5 kg kokainë, 76,5 kg marihuanë dhe 280 kg hashash, me vlerë 5 milionë Euro. Mësohet se ajo që i ka nxjerrë zbuluar janë komunikimet e koduara në aplikacionin e famshëm Sky ECC, që më së shumti përdoret për qëllime kriminale.
Pika “kulmore” e hetimit ishte në vitin 2021, kur forcat policore në Belgjikë, Holandë dhe Francë arritën të ‘hakojnë’ këtë sistem. Zyra e Prokurorit Publik të Bolonjës më pas nisi me deshifrimin e mesazheve mes anëtarëve të grupit kriminal, ku s’mungonin fotot e videot. Kështu u zbulua identiteti i tyre, makinat që posedonin apo edhe vendbanimi.

Kokaina fshihej brenda kamionëve dhe importohej në Bolonjë, ku shitej me pakicë. Pjesa më e madhe e parave të fituara, thonë hetuesit, përfundonte në Shqipëri. Janë kryer kontrolle në disa qytete si Modena, Ferrara dhe Frosinone, ku policia ka sekuestruar 15 mijë Euro cash, fishekë, 2 makina dhe materialin që përdorej për paketimin e drogës.
Po kush e drejtonte këtë bandë?
Sipas raportimeve të deritanishme bëhet fjalë për një shqiptar, rreth të 40-ve (në mesin e të arrestuarve). Ai vendoste mbi gjithçka, që nga importet, cilësia e drogës, përzgjedhja e korrierëve dhe mënyra si investoheshin paratë e krimit.
/tvklan.al