Sulmet ajrore amerikane nuk e shkatërruan aftësinë bërthamore të Iranit dhe vetëm e vonuan me disa muaj, sipas një vlerësimi paraprak të inteligjencës amerikane.
Ndërsa një seri bombash u hodhën në dy nga objektet bërthamore, uzinën e Pasurimit të Karburantit në Fordou dhe Kompleksin e Pasurimit në Natanz, rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk u eliminuan në bombardimet e së shtunës, thanë burime të njohura me vlerësimin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.
Centrifugat e Iranit janë kryesisht “të paprekura” dhe ndikimi i sulmeve ishte i kufizuar në strukturat mbi tokë, shtojnë burimet. Shtëpia e Bardhë e ka quajtur vlerësimin “krejtësisht të gabuar”.
“Ky vlerësim i supozuar është një përpjekje e qartë për të poshtëruar Presidentin Trump dhe për të diskredituar pilotët e guximshëm luftarakë që kryen një mision në mënyrë të përsosur për të zhdukur programin bërthamor të Iranit”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë.
Duke folur në bordin e Air Force One më parë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se të tre centralet bërthamore në Iran u goditën “në mënyrë perfekte” dhe u shkatërruan, dhe se raportet e medias amerikane janë “mungesë respekti” ndaj atyre që kryen sulmet.
“Lajmet e rreme CNN, së bashku me New York Times që po dështon, janë bashkuar në një përpjekje për të poshtëruar një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori. Vendet bërthamore në Iran janë shkatërruar plotësisht! Si CNN ashtu edhe NYT po kritikohen nga publiku!”, u shpreh ai.
Sipas raportit, i cili u hartua nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, sulmet ajrore bllokuan hyrjet e dy prej objekteve, por nuk shembën ndërtesat nëntokësore.
Administrata e Trump i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se sulmet e saj të fundjavës ndaj objekteve bërthamore iraniane kishin “degraduar programin bërthamor të Iranit”.
I dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka kritikuar raportet se dëmi i shkaktuar nga sulmet e së shtunës amerikane në tre centrale bërthamore iraniane ishte i kufizuar, duke i quajtur burimet mediatike “tradhtare”.
Duke folur për Fox News, Steve Witkoff tha: “Është e vetëkuptueshme që rrjedhja e këtij lloj informacioni, çfarëdo informacioni, çfarëdo faqeje interneti ku del, është skandaloze, është tradhti dhe çdokush duhet të hetohet dhe të mbahet përgjegjës.”
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se sulmi ndaj Iranit kishte eliminuar kërcënimin bërthamor dhe se ishte i vendosur të pengonte çdo përpjekje të Teheranit për të ringjallur programin e tij të armëve.
Të konsideruara prej kohësh si më të mbrojturat nga vendet bërthamore të Iranit, objektet e pasurimit të uraniumit në Fordou janë vendosur nën malet Zagros. Raportet kanë sugjeruar se vendi është ndërtuar nën 45–90 metra në shkëmb kryesisht gëlqeror dhe dolomit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 