Rrjeti prestigjioz mediatik CNN ka vlerësuar këngën “Zjerm”, të interpretuar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, që përfaqësojnë Shqipërinë, si më të mirën në Eurovision nga 26 vendet finaliste.

Pas një mungese prej 12 muajsh, që u duk e pafund, Eurovision Song Contest është rikthyer në skenë, këtë herë nga Bazeli i Zvicrës, me të gjitha elementët që e bëjnë këtë spektakël të dashur, të çuditshëm dhe plot ngjyra: drama, konkurrencë, skena marramendëse dhe një dozë e madhe provokimi janë pjesë e këtij evenimenti. Nga 26 shtetet që u kualifikuan në finalen e madhe, renditja e këtij viti është po aq e çuditshme sa edhe emocionuese. Dhe në krye të kësaj liste, Shqipëria, me një paraqitje aq të pazakontë sa të papërshkrueshme.

“Një burrë tullac me një intensitet të frikshëm dhe një këngëtare që duket sikur ka kaluar nga një sekt i çuditshëm, përbëjnë dyshe më të pazakontë të Eurovisionit,” shkruan CNN për grupin “Shkodra Elektronike” që përfaqëson Shqipërinë.

Me një tekst që flet për një oaz ku “nuk ka ambulancë në rrugë, askush s’të flet me arrogancë”, performanca është totalisht jashtë çdo skeme të zakonshme. Ironikisht, ata nuk janë fansa të Eurovisionit: “Nuk është lloji ynë i muzikës,” thotë Beatriçe Gjergji për CNN. Dhe pikërisht kjo indiferencë i ka bërë të duken autentikë dhe të veçantë. Publiku është i çmendur pas tyre.

Në vendin e dytë, CNN rendit këngën e grupit australian “Wasted Love”, dhe në të 3-ën atë të Finlandës.

Ndërkohë, nga 26 vendet finaliste, CNN ka cilësuar si më të dobëtat, por edhe të mërzitshme këngët e disa shteteve. Grupi nga Mbretëria e Bashkuar, me këngën “What The Hell Just Happened?” është renditur si një nga më të dobëtat.

Pas tij vjen kënga e San Marinos, “Tutta L’Italia”, që për CNN sjell një përzierje klisheje me përmendje të “Spaghetti, verës dhe Mona Lisës”. Ndërkohë, në vend të fundit ka renditur grupi nga Armenia me këngën “Survivor”, e cila sipas CNN-së ngjan më shumë me një eksperiment të Inteligjencës Artificiale sesa një artist të vërtetë, duke e cilësuar këngën si një “katastrofë”.

Finalja e Eurovisionit mbahet mbrëmjen e së Shtunës, më 17 Maj.

Tv Klan