Në Ditën e Europës, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i është drejtuar me një mesazh të veçantë qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.

“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, po ju drejtohem sot si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Europian. Në Ditën e Europës ne festojmë projektin tonë të përbashkët europian, ku anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi përçarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin. Ata vendosën të ndërtojnë një të ardhme në paqe, liri dhe prosperitet mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore. Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian.”

Costa vlerësoi reformat që ka ndërmarrë vendi ynë në rrugën e anëtarësimit në Union.

“Po bëhet një punë e madhe për ta bërë këtë realitet. Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm me negociatat gjatë vitit të kaluar. Ju inkurajoj të vazhdoni me vrullin e reformave. Së bashku do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët europiane. Rroftë Europa.”

Mesazhe për Ditën e Europës dhanë edhe liderët e tjerë europianë, si presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, dhe shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, që u fokusuan te liria dhe vlerat demokratike.

9 maji shënon bashkimin e popujve europianë dhe paqen mes tyre. Kjo datë lidhet me deklaratën historike të bërë nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, më 9 maj 1950, që i hapi rrugë themelimit të Bashkimit Europian.

Tv Klan

/tvklan.al