Prej vitesh ajo njihet si Cubi, ndoshta, ndoshta me këtë emër ka lindur, pasi që e vogël babai e ka thirrur Cubi dhe dashje pa dashje është ky emri i saj i artit. Nëse dikush do e thërriste Esmeralda është e sigurt që ajo nuk do e kthente kokën pas. Cubi, sikurse edhe kasta e aktorëve të “Apartamentit 2XL” është shpërngulur në shtëpinë e madhe të Tv Klan, ku çdo të shtunë do të jenë me humorin dhe batutat e tyre në emisionin më të ri “Duplex”. Në një intervistë për tvklan.al, Cubi ashtu e qeshur dhe me sy që i shkëlqejnë ka rrëfyer bashkëpunimin me Turjan Hyskën, rrugëtimin e saj si aktore dhe si e priti ajo lajmin se tashmë kishte ardhur koha që “Apartamenti 2XL” të ndryshonte në shumë dimensione dhe të shfaqej në një ekran të madh siç është ai i Televizionit Klan.

Si e priti Cubi lajmin për ardhjen në Tv Klan?

Kur ma ka thënë Turi sinqerisht jam befasuar dhe jo vetëm unë që kam 7 vjet, por edhe çunat që kanë më shumë vite. U shtanga pak dhe pata një ndjesi shumë pozitive sepse vjen një stad i caktuar që njeriu duhet të rritet dhe të eci akoma më tej. Nuk flas për pjesën e Turit, por flas për pjesën tonë. Mendoj se “Apartamenti” e mbylli ciklin e vet suksesshëm në Vizion.  Duhej një dritare e re me energji te reja, ne marrim nga televizioni dhe nga eksperienca e tij  si dhe kemi nevojë për këtë energjinë e re. Pastaj mos harrojmë faktin se Klani sot për sot është televizioni më i mirë dhe më i fortë në treg. Por unë për vete e kam pritur shumë mirë. Më ka pëlqyer ideja e lëvizjes.

Njerëzit në fillimi nga largimi ynë nga Vizioni patën frikë se nuk do të bëhej më “Apartamenti 2XL” dhe publiku është trembur. Në fakt logjika e “Apartamentit 2XL” jemi ende, thjesht do të zgjerojmë formatin, do të sjellim një “Duplex” dhe jo një “Apartament”, do të ketë ndryshime brenda strukturës, gjëra që në ende po i shohim.

Pjesa më e madhe e kastës së aktorëve janë meshkuj. A jeni ndjerë ndonjëherë në siklet?

Unë me çunat jemi shokë. Kjo është  marrëdhënia ime me aktorët. Unë kam 7 vjet që punoj me ata dhe ne kemi mbaruar të njëjtën shkollë, njihemi dhe më herët, kemi punuar dhe jashtë “Apartamentit” me çunat dhe për mua s’ka qenë asnjëherë vështirësi. Po sigurisht që kur je e vetme je e privilegjuar, se je 2 se je 5 apo 1,  je e privilegjuar.

Përsa i përket sikletit, apo ndonjë situate të tillë, Eliona, ndoshta por unë jo 😊. Unë asnjëherë, madje ka patur shumë raste kur çunat thoshin gjithmonë Cubi këtu, Cubi atje.

Për Cubin si vjen “Duplex”. A mund të themi që do ketë një balancë, pak a shumë si “Apartamenti 2XL”?

Nuk mund të bëjmë krahasime. Tashmë “Duplex” vjen me risinë e re.“Duplex” është një program më i madh, më i freskët edhe për ne është një risi. Pavarësisht se gjenezën e ka nga “Apartamenti 2XL”, por është një gjë e re. Unë vetë personalisht jam pak e “trembur” sepse është sfidë e re. Televizion i ri, skenë e re është gjithashtu strukturë e re dhe publik tjetër. Domethënë unë vet e shoh me një sukses të jashtëzakonshëm sepse ne vërtet që po punojmë fort dhe këtu po na ofrohen gjëra shumë të mira, por le t’ia lemë kohës.

Sa kohë i merr Cubit angazhimi në “Duplex”?

Merr goxha kohë. Ne kemi filluar takimet, konsultat me njëri-tjetrin, Nuk po fillojmë “Apartamentin 2XL” pra një sezon të ri, por po fillojmë një gjë të re, “Duplex”.

Cili është ai personazh apo karakter që ti e bën me më shumë qejf ?

Këto vitet e fundit unë me Julin kemi bërë çiftin, burrë e grua, madje ka arritur deri aty sa na ka thënë Turi më jeni bërë si Marjana Kondi me Met Begën. Madje edhe në rrjetet sociale njerëzit më shkruajnë gruaja e Julit.

Ju keni luajtur në film, teatër, por gjithashtu prej vitesh jeni e angazhuar në një program humori që shfaqet çdo javë. Mes një programi humori, filmit dhe teatrit kë do të zgjidhnit?

Nuk mund ti ndaj, sepse është si punë e fëmijëve. Në fillim thoja teatri, teatri, apo siç kam qenë në fillim të karrierës sime që nuk më pëlqente televizioni, por në momentin që u bëra pjesë e Tv tani nuk bëj dot pa atë. Sigurisht që televizioni më ha më shumë kohë sepse dal çdo javë në skenë, por dhe teatrin dhe filmin unë nuk i le pas.

A mendoni se televizioni të konsumon?

Ndoshta dalja çdo javë të konsumon, megjithatë një aktor i mirë, një aktor elastik, di të sjellë çdo herë një gjë të re. Në fund të fundit ne tek vetja gjithmonë gërmojmë dhe nuk shterojmë asnjëherë. Sepse ndryshe në këtë punë nëse ti gërmon dhe nuk nxjerr asnjë gjë, atëherë duhet të gjesh diçka tjetër për të bërë.

Cila është ajo arsye që do të hiqnit dorë nga aktrimi?

Momentalisht nuk ka asnjë lloj arsyeje që unë të heq dorë nga aktrimi. Unë nuk e lidh dot veten me diçka tjetër, përveç aktrimit. Unë kam  punuar kur kam qenë studente, diku si kasiere, apo edhe punë të tjera. Gjithashtu kam tentuar deri diku të bëj dhe gazetaren. Por përsëri nuk ishte ajo që doja. Aktrimi është jeta ime.

Përveç aktrimit çfarë impenjimi tjetër ka Cubi?

Unë jam e angazhuar në radio, e angazhuar në dublime, vazhdoj ende të punoj me dokumentarë. Jam shumë e zënë brenda profilit tim. Se sigurisht nuk bëj marangozen 😊.

Si është të punosh me Turin?

Në radhët parë do të thoja se Turi, përveçse producent dhe drejtor është një shok shumë i mirë dhe në marrëdhënie pune. Unë punoj me drejtorë të ndryshëm dhe në institucione të ndryshme. Ajo që unë e shoh tek Turi është se ai është një shok shumë i mirë dhe kjo është gjëja kryesore për të patur stafin atje ku duhet dhe ky është qëllimi kryesor i producentit. Një producent shumë i mirë di sesi ta mbajë dhe ta menaxhojë frymën e grupit të tij. Pastaj në pjesën tjetër të punës, ai ka kërkesat e veta dhe është syri i ftohtë se na rrëmben skena, audienca, interpretimi. Turi ka fituar një siguri shumë të mirë në ndjeshmërinë e numrave është bërë si një regjisor. E ka fituar gradualisht dhe me më punë aty. Por unë ndjehem shumë rehat duke e patur drejtor. 😊tvklan.al