Arjan Curi është i mendimit se Shqipëria është një vend me shumicë myslimane dhe si i tillë është filoturk. Në Zonë e Lirë, Curi tha mbrëmjen e kësaj të premteje se në vendin tonë ka një gëzim të madh për çdo gjë ‘turke dhe erdoganiste’. E pavarësisht kundërshtisë që pati nga Arian Çani dhe Fitim Zekthi, Curi vijoi të ishte i palëkundur në qëndrimin e tij.

Arjan Curi: Populli ynë ka dy shumica që janë pak në paradoks me njëra-tjetrën dhe në kundërshtim. Ka një shumicë myslimane dhe këtë nuk e kundërshton njeri, ka dhe një shumicë majtisto-komuniste, që edhe këtë nuk e kundërshton njeri. Tani sesi këto rrinë bashkë, kjo është një temë tjetër. Ka një gëzim të madh për çdo gjë turke dhe erdoganiste në Shqipëri. Përfshirë edhe kontrollorët, edhe gjuhën, edhe telenovelat. Unë e shikoj përditë, përfshirë edhe investimet në xhami.

Arian Çani: Është ndjesia jote, nuk është se kemi një sondazh për këtë apo jo…

Arjan Curi: Nuk është ndjesi fare, janë kontaktet e mia të përditshme. Ky vend është filoturk në themel, në kockë.

Fitim Zekthi: Jo-jo nuk është e vërtetë. Ne kemi marrëdhënie miqësore me Turqinë, po nuk jemi filoturkë.

Arjan Curi: Është filoturk, sepse është vend mysliman. Kjo nuk është ndonjë çudi e madhe…

Arian Çani: Unë di që është vend ateist, me pak myslimanë, me pak ortodoksë… Unë nuk di që është vend mysliman, është abuzim i madh ky, është mit, legjendë.

Arjan Curi: Jemi myslimanë në kuptimin tradicional dhe kulturor të fjalës.

Arian Çani: Është legjendë.

Arjan Curi: Kush është legjendë? Që është vend mysliman?

Arian Çani: Ky është vend me shumicë ateiste.

Arjan Curi: Kur e thotë një i krishterë këtë mos e quaj fare legjendë. Ky është një vend me shumicë myslimane dhe si i tillë është filoturk./tvklan.al