Daniel Dobraj, i cili akuzohet se plagosi efektiven e policisë Ina Nuka, në protestën e dhunshme të së enjtes të banorëve të Unazës së Re para parlamentit, ka pretenduar se është dhunuar nga policia gjatë dhe pas arrestimit.

Prokuroria e akuzon të riun për sulmin ndaj polices 24-vjeçare, kundërshtim të forcave të rendit, mbajtje të lëndëve plasëse dhe prishje të rendit publik. Akuza kërkoi masën e sigurisë arrest me burg, e cila u pranua nga gjykata. Avokati i Dobrajt akuzoi për dhune fizike, psikologjike dhe verbale ndaj klientit të tij.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorisë. Dobraj i ka thënë gjykatës se nuk ka pasur qëllim për të plagosur punonjësen e policisë. Ai ka pranuar se atë ditë ka hedhur 3 kapsollë, por jo drejt kordonit të policisë, por në rrethimin e xhamisë së namazgjasë.

Ky proces u ndoq nga deputetët e opozitës, të cilët thanë se dhuna ndaj Danielit është e patolerueshme.

Të dielën gjykata liroi 10 protestues, ndërsa la në qeli vetëm dy prej tyre, Dorjan Protuduari dhe Ilias Sketiraj për 30 ditë. Ky i fundit hodhi një këpucë në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, në Spitalin e Traumës.

Tv Klan