Ndihmës-sekretari i shtetit, Daniel Frid ka dalë në mbrojtje të planit gjashtëpikësh të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, pavarësisht që Prishtina kundërshton atë.

Pas një takimi që zhvilloi me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi diplomati amerikan kërkoi sa më parë EULEKS të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.

Daniel Frid: “Pavarësisht brengave dhe pyetjeve dhe madje kundërshtimeve për planin gjashtëpikësh mendoj se mund të gjendjet një rrugë për vendosjen sa më të shpejtë të EULEKS-it në Kosovë. Unë jam i kënaqur me diskutimet e sotshme dhe besoj se mund të gjejmë një zgjidhje për të shkuar përpara. Ky është qëllimi im”.

Prishtina kundërshtoi planin prej gjashtë pika të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së pasi që konsideron që ai cenon sovranitetin e Kosovës, por bashkësia ndërkombëtare nuk po përkrah këtë qëndrim të lidershipit të Prishtinës.

Pavarësisht kësaj presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi dhe sot janë shprehur kundër implementimit të këtij plani.

Fatmir Sejdiu: “Natyrisht dëshiroj që të jemi ndihmëtarë në procesin e vendosjes sa më të shpejtë duke shprehur po ashtu qëndrimin tonë të qartë për gjashtëpikëshin, të cilin e kemi prezantuar dhe më herët që është një dokument, i cili për Prishtinën si i tillë nuk pranohet.”

Hashim Thaçi: “Dua të besoj se gjithë njerëzit në Kosovë janë unikë sa i përket këtij procesi gjashtëpikësh. Kosova gjithmonë me miqtë e vet, partnerët e vet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e tjera të Bashkimit Evropian ka gjetur rrugë për daljen nga situatat që dikush na ka futur në këtë situatë të padrejtë Prishtinën, mirëpo gjithçka do ecim ne, në çdo rrugë do të kemi konsultim dhe të gjitha hapat do të jenë të koordinuara”.

Lidershipi i Prishtinës tash një javë ka qenë në presion të vazhdueshëm të përfaqësuesve të vendeve të Quintit për të pranuar planin e Ban Ki-Moon. Në këtë kuadër ishte dhe vizita e sotshme e diplomatit të njohur amerikan./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki