Ndonëse ishte thirrur në interpelancë për projektligjin e shëndetit riprodhues, skandali me mjekët e “Onkologjikut” përplasi në Kuvend ministren e Shëndetësisë dhe opozitën.

Demokratët i kërkuan të japë dorëheqjen, duke akuzuar si persona në dijeni për skemën e zhvatjes së pacientëve me tumor edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë.

“Në këtë qeverisje 3 ministra, Koçiu, Manastirliu dhe Manja nuk duhet të ishin të ulur në ato karrige. Duhet të ishin shkarkuar ose dorëhequr. Të gjithë kishin dijeni mbi atë që ka ndodhur tek “Onkologjiku””, tha Vokshi.

Në kundërpërgjigje, ministria Koçiu paralajmëroi ashpërsime në ligj për këdo nga bluzat e bardha që abuzon me profesionin.

“Dhe pikërisht për këtë, për të sanksionuar edhe me ligj të gjithë ata mjekë, se nuk mund t’i quaj as profesionistë më, që abuzojnë me detyrën, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës, do të përballen me ndëshkime dhe sanksione. Do t’i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit në rast se do të bëjnë ndërhyrje dhe sjellje amorale që cenojnë figurën e profesionistëve të shëndetësisë”, tha Koçiu.

Deputetët e opozitës kanë depozituar në Kuvend dy interpelanca për rastin e skemës së zhvatjes së pacientëve me tumor në spitalin Onkologjik në QSUT, pas lëshimit të 7 urdhër arresteve nga Gjykata e Tiranës për mjekë dhe specialistë që orientonin të sëmurët me tumor në një klinikë private ku paguanin shuma të konsiderueshme.

Tv Klan