Kryeministri Rama është rikthyer në Parlament pas disa muajsh mungesë.

5 minuta para votimit të projektligjeve të rendit të ditës, ai u shfaq para deputetëve socialistë, ndërsa opozita e kishte braktisur prej kohësh sallën.

Mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate më herët gjatë seancës, e parafundit për këtë legjislaturë.

Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në debate edhe në seancën e parafundit për këtë legjislaturë. “Molla e sherrit” është bërë çështja e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Kryetari i PD, Sali Berisha, shprehet se PS nuk e pranon kandidaturën e opozitës, Besim Ndregjoni, për shkak se është një i persekutuar dhe i burgosur politik në kohën e diktaturës.

“Kreu juaj Rama Duro nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter, e cila për ju nuk pranohet vetëm se ka vite të persekutimit dhe burgosjes politike,” tha Berisha.

Përgjigjja Berishës i erdhi nga ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi.

“Në rast se ju keni dëshirë të ktheheni në një marrëveshje si më 17 maj 2017, nuk ka problem, duhet diskutuar. Ju nuk mund të vini dhe të thoni ‘o ky, o ramë e vdiqëm’,” tha Balla.

“Besoj ka ngelur vetëm një seancë dhe duket më e mundshme ta rimarrim në shtator, gjithsesi ne nuk kemi ndonjë kundërshtim që të vazhdojmë procesin e përmbylljes së zgjedhjes së Avokatit të Popullit,” tha Peleshi.

Një tjetër përplasje në këtë seancë ishte ajo mes kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali për shtyrjen e raportimeve të institucioneve të pavarura në Kuvend.

“Vendimi juaj është shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sepse i heq Kuvendit një nga funksionet kushtetuese,” tha Bardhi.

“E kuptoj shqetësimin tuaj, zoti Bardhi, nuk mund të them a mund të bëhen brenda këtij sesioni,” tha Spiropali.

Kryeparlamentarja pati dhe një debat të fortë me kryedemokratin, i cili përsëri akuzoi PS se bashkëpunoi me krimin për të fituar zgjedhjet e 11 majit.

Sali Berisha: Kreu i partisë së krimit…

Elisa Spiropali: Ju tërheq vëmendje për fjalorin. Ajo nuk është partia e krimit, është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ju tërheq vëmendje për fjalorin e përdorur, do t’iu jap vërejtje herën tjetër.

Sali Berisha: Do të ruash vendin dhe mos më bëj t’ju jap ndonjë përgjigje që s’duhet t’ua jap.

Ministri Balla, teksa ironizoi qëndrimet e PD për zgjedhjet, tha se në muajin shtator, kur të ngrihet Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore, të adresohen të gjitha pretendimet e opozitës.

“Jua kemi thënë edhe në këtë foltore, para zgjedhjeve të 11 majit, se ju do të vini përsëri me të njëjtin refren. Rinumërimi po bëhet, le të shërbejë si një ogur pozitiv që në shtator, kur të ngremë Komisionin e ri të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, t’i depolitizojmë komisionet,” tha Balla.

Edhe për këtë çështje, Balla mori një përgjigje nga Berisha.

“Personi që foli këtu është një person i akuzuar për trafiqe të të gjitha llojeve. I akuzuar me dokumenta zyrtare në sallë gjyqi se ka porositur vrasje,” tha Berisha.

Kryetari i PD paralajmëroi se do të vijojë denoncimet për zgjedhjet dhe bashkëpunimin e PS me grupet kriminale, për t’u treguar qytetarëve se zgjedhjet nuk u humbën nga opozita, por u vodhën nga mazhoranca.

Klan News

/tvklan.al