Mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur dakordësi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për zhvillimin e një mocioni me debat të kërkuar nga demokratët për emërimin, ushtrimin e detyrës dhe largimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH pas nisjes së hetimeve ndaj saj nga SPAK.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se për rastin e Vlora Hysenit nuk është i nevojshëm zhvillimi i një mocioni me debat në parlament dhe se kjo çështje duhet të lihet vetëm në dorën e drejtësisë.
“Ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale”, tha Balla.
Argumenteve të Ballës iu përgjigj si gjatë mbledhjes dhe në deklaratën për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi, i cili theksoi se mocioni me debat nuk ka lidhje me procesin e hetimit, por të qartësojë rolin e kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve të tjera në këtë çështje.
Në mungesë të dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës, kërkesa e PD për mocionin me debat do t’i kalojë seancës së ardhshme plenare për votim.
/tvklan.al












Botërori 2026 