18 shtator 2026, Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për çështjen e pagave të magjistratëve.

Këtë herë bën thirrje për një tryezë të përbashkët pune mes përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se pret një përgjigje pozitive nga drejtuesit e dy këshillave të sistemit të drejtësisë dhe drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, me qëllim diskutimin e sistemit të pagave të magjistratëve.

“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, qëllimi i tryezës do të jetë gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila garanton pagat e magjistratëve, por njëkohësisht ruan edhe ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave.

Rama bën të ditur gjithashtu se në tryezë do të ftohen ekspertë të Këshillit të Europës, si dhe do të kërkohet kontributi i Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë. Kryeministri thekson se pavarësia e gjyqësorit dhe niveli i pagave të magjistratëve janë rezultat, sipas tij, i vendimeve të ndërmarra nga shumica qeverisëse.

“Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli”, nënvizon numri një i kabinetit.

Ai shton se qeveria nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por “bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë”. Reagimi i tij vjen në një kohë kur çështja e pagave të magjistratëve është kthyer në një pikë debati mes institucioneve, ndërsa kryeministri kërkon që mosdakordësitë të adresohen përmes dialogut institucional.

Duhet theksuar se mazhoranca e ka miratuar formulën e re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve të Shqipërisë. Drafti për rritjen me 2% sa paga e presidentit, mori dritën jeshile pas mesnate në Kuvend me 84 vota pro të Partisë Socialiste. Projektligji i socialistëve parashikon rritje të pagës referuese për magjistratët me rreth 8,500 lekë, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.