Ismet Izeti prej vitesh kishte dy fatura energjie pa paguar dhe në vitin 2015 bën pagesën përmes bankës. Prej dy vitesh, OSHEE nuk ia heq emrin nga sistemi, por një gjë e tillë e penalizon zotin Izeti, pasi ai nuk mundet të kalojë kontratën nga statusi “privat” në “familjar”. Pas interesimit të emisionit “STOP”, punonjësit e OSHEE fillimisht thonë se nuk e kanë shkresën e pagesës së kamatës, ndërsa më pas thuhet se zoti Ismet Izeti nuk ka paguar kamatën e kamatës…

“Kam patur dy fatura pa paguar, ishin harruar. Me bankë u paguan sipas rregullit, gjithashtu dhe kamata. Kam që në 2015 deri më sot nuk ma hiqet nga sistemi dhe kjo bëhet pengesë për çfarëdo lloj problemi që kam unë. Përshembull, tani kam një problem, dua që çmimin privat ta kaloj në atë familjar sepse deri më 31 Dhjetor e kam pasur me qira dhe kanë ikur. Vij këtu thonë nuk bëhet sepse duhet të hiqen nga sistemi faturat dhe kamatat, pastaj të bëhet kjo. Vij në Tetor 2016 dhe më thonë zotërinjtë të përsërit edhe një herë ankesa dhe mbase e heqin. E përsërita e deri më sot nuk është hequr nga sistemi.”

Ismet Izeti shprehet se ka shkuar shpesh pranë zyrave të OSHEE për të parë nëse ia kanë hequr emrin nga sistemi, por vazhdon të qëndrojë edhe pse është ankuar shpesh herë. Punonjësit e OSHEE i thonë t’i drejtohet drejtorisë, pasi ekziston një bord që merret me këto probleme.

“Tani unë s’e heq dot, këta s’e heqin dot, bordi po e po që s’do t’ia dijë!”

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” i drejtohet Kujdesit ndaj Klientit, në zyrat e OSHEE.

Qytetarja – Ne i kemi (faturat e bankës) dhe të faturave dhe të kamatave (kamatë- vonesat).Ja, një sekondë.

Punonjësja 1  –

Po, ma jep ta shikoj!

Qytetarja – Paguar faturë është kjo, paguar kamatë – vonesë është kjo. Paguar faturë është kjo tjetra, paguar kamatë është tjetra këtu.

Punonjësja 1

Një sekondë, t’i shikojmë me rradhë të lutem! Kjo është paguar kamatë, kjo?

Qytetarja – Vonesë, po.

Punonjësja 1

Ku është?

Qytetarja – Ja, ja! E ke këtu, paguar kamatë-vonesë.

Punonjësja  1

Për faturën 63158. Po mbase zotëria s’e ka dorëzuar për shembull, se këtu nuk e thotë.

Qytetarja – Si nuk e ka dorëzuar? Po jo pra, se përderisa ne e kemi marrë…

Punonjësja 2

Gjithë dokumentacionin që kam, kjo është. Kjo është nxjerrë nga…

Ismeti – T’i kam dorëzuar të dyja. Jeni në dijeni që kam marrë dhe kamatë.

Punonjësja 2

Kjo është një ankesë që është bërë, jo të dyja. Tjetrën e ke me tjetër njeri, s’e ke me mua.

Qytetarja – Nuk e di unë se cili operator është. Ne po flasim në gjendjen e përgjithshme.

IsmetiUnë ato që kam marrë, kam sjellë dokumentat. Unë flas me atë që ke bërë me mua.

Punonjësja 1

Zonjë, për gjendje të përgjithshme nuk mund t’i hap unë të gjitha këtu. Duhet të shkoni tek drejtoria, të interesoheni.

Qytetarja – Po ju po i mohoni pra.

Punonjësja 1

Unë po mohoj se po shikoj se çfarë kam këtu.

Qytetarja – Po këto që kemi ne këtu s’doni t’ia dini fare ju.

Punonjësja 1

Ne po ato do t’i marrim, do t’i shikojmë të gjitha nëse ju i dispononi…  absolutisht.

Qytetarja – Domethënë në kamatë-vonesat … quhen të papaguara ?

Punonjësja 1

Jo, absolutisht jo! Nuk e thashë këtë gjë. Thashë në këtë ankesë që është bërë, kjo letër nuk ekziston këtu. Nëse ekziston shumë mirë për juve, i kishim mbaruar punët shumë më shpejt se dy vjet që ju ka zgjatur.

Gazetarja e emisionit “STOP” shprehet se pas interesimit për çështjen e Ismet Izetit, ka patur tre përgjigje të ndryshme. Në fillim u tha se Ismeti i ka paguar faturat dhe kamatë-vonesat, më pas rezultoi se ai nuk ka paguar kamatë-vonesat dhe në fund u përgjigjën se ai është debitor dhe nuk do t’i hiqet emri nga sistemi sepse ka paguar me vonesë kamatë-vonesat dhe tanimë duhet të paguajë kamatën e kamatë-vonesave.

“Në fakt ka dy vjet që kur kam bërë ankesën e parë dhe ankesën e dytë para një viti, nuk më ka thënë njeri që ke kamatë mbi kamatë për të paguar. Nuk di si të veproj me këta njerëz që nuk kthejnë asnjë përgjigje për dy vjet.”

Ismet Izeti më në fund mori një përgjigje të saktë nga OSHEE, edhe pse do t’i duhet të paguajë kamatë për kamatë-vonesat, të paktën do të mund të heqë emrin nga sistemi i debitorëve dhe do të mund të zgjidhë problemet e tij./tvklan.al