Një ndërprerje në rrjetin e kompanisë më të madhe të telekomunikacionit në Australi, Telstra, ka shkaktuar anulimin e shërbimeve hekurudhore, ka lënë mijëra klientë pa celular dhe ka nxitur një hetim për telefonatat drejt shërbimeve të emergjencës që nuk u lidhën.
Shefi financiar i Telstra-s, Michael Ackland, kërkoi falje për problemin, i cili nisi rreth orës 04:30 të mëngjesit të së mërkurës dhe preku “disa telefonata celulare dhe shërbime të të dhënave”.
Sipas tij, shërbimet u rikthyen plotësisht pas rreth 12 orësh. Shkak për ndërprerjen ishte një defekt në softuerin e serverëve që menaxhojnë kohën në qendrat e të dhënave në Sidnei dhe Melburn, dhe jo një sulm kibernetik.
Kryeministri australian Anthony Albanese e cilësoi ndërprerjen si “thellësisht shqetësuese”.
Telstra e përshkroi problemin si “të ndërprerë”, por pranoi se ndikimi i tij ishte në shkallë kombëtare.
Ackland tha se kompania kishte kryer kontrolle mirëqenieje për klientët që kishin tentuar të kontaktonin shërbimet e emergjencës gjatë ndërprerjes, ndërsa gjashtë prej tyre kishin pasur nevojë për ndihmë të menjëhershme.
Ai shtoi se sistemet rezervë, të cilat i ridrejtojnë telefonatat e emergjencës përmes operatorëve të tjerë celularë, funksionuan në pjesën më të madhe siç ishte parashikuar.
I pyetur nëse australianët mund të vazhdojnë t’i besojnë rrjetit më të madh celular në vend, Ackland tha se “Australia mund të ketë absolutisht besim te operatori më i madh i telekomunikacionit”.
“Ne i marrim këto ndërprerje shumë seriozisht. Investimet tona në qëndrueshmërinë, sigurinë kibernetike dhe sistemet rezervë të rrjetit janë të konsiderueshme, por ky është një rrjet i madh dhe kompleks dhe herë pas here mund të ndodhin probleme”, u shpreh ai.
Autoritetet konfirmuan se po kryheshin kontrolle për rreth tre duzina telefonatash drejt shërbimeve të emergjencës që nuk arritën të lidheshin, por theksuan se sistemi kryesor i numrit të emergjencës “Triple Zero” mbeti funksional.
Ministrja e Komunikimeve, Anika Wells, tha se rregullatori australian i telekomunikacioneve, Australian Communications and Media Authority, do të hetojë ndërprerjen.
Në shtetin e Viktorias, të gjitha shërbimet rajonale të trenave u anuluan për shkak të problemeve me rrjetin, ndërsa disa linja rajonale në Uellsin e Ri Jugor u prekën gjithashtu. Edhe transporti kombëtar i mallrave pati ndërprerje.
Probleme pati edhe me sistemet e pagesave, ku rreth 80 mijë biznese që përdorin aplikacionin Tyro u prekën nga defekti.
Ky incident rikthen kujtimet e një ndërprerjeje të madhe në sistemet e Optus, operatori i dytë më i madh i telekomunikacionit në Australi, në shtatorin e kaluar. Atëherë, qindra mijëra persona në më shumë se gjysmën e vendit nuk mundën të kontaktonin shërbimet e emergjencës për 13 orë, ndërsa tre persona humbën jetën.
Optus ishte gjobitur gjithashtu pas një tjetër ndërprerjeje në vitin 2023, e cila la mijëra klientë pa mundësi për të telefonuar shërbimet e emergjencës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
