Historianët kanë mendime të ndryshme në lidhje me debatin për heqjen e titujve e dekoratave, nismë nga e cila qeveria është tërhequr. Paskal Milo deklaron se kjo është një zhurmë për të zhvendosur vemendjen nga shqetësimet kryesore të shoqërisë.

“Shumë zhurmë për asgjë”! Kështu e konsideron historiani Paskal Milo debatin e ngritur mbi nismat ligjore për heqjen e titujve të nderit, dekoratave, për ata që kanë kryer krime lufte, krime kundër njerzimit apo dhe ata që kanë qënë pjesë e strukturave të regjimit  komunist.

Sipas tij, projektligje të këtij lloji kanë në thelb zhvendosjen e vëmendjes nga gjerat  e rëndësishme që shqetësojnë Shqipërinë .

Historiani Paskal Milo:

“Me kë do merren, me të vdekurit?! Nëse vërtetë janë të shqetësuar se në parlament mund të ketë ende agjentë të sigurimit të shtetit, t’u bëjnë radiografinë politike dhe puna zgjidhet”.

Për historianin Milo, diskutimet e qeverisë apo dhe opozitës duhet të përqëndrohen tek rishikimi i teksteve të historisë së Shqipërisë  dhe jo tek debatet shterp që nuk i sjell asgjë vendit.

Paskal Milo:

“Shkruarja e teksteve të historisë është një përgjegjësi kombëtare dhe duhet të jetë prioritet i kësaj qeverie. Më shumë vlen një tekst i mirë historie se sa një projektligj butaforik”.  

Ndryshe nga Milo, Valentina Duka thotë se është i nevojshëm një ligj për dekomunistizimin, por për Dukën shfaqja e simboleve komuniste në festa kombëtare e implikon Partinë Socialiste edhe më shumë me këtë regjim.

Historiania Valentina Duka: “

Fakti që vijnë ligje dhe tërhiqen do të thotë që ato vijnë në Kuvend sa herë opinion publik ashpërsohet kundër simboleve të kumunizmit. Tërheqja e projektligjit është mekanizëm që tregon që PS nuk e ka seriozisht. Jo vetëm duhet të hiqen titujt, por edhe të dënohen ata njerëz që kanë kryer këto krime”.

Në vitin 2015 në parlament u paraqitën tre projektligje për të njëjtën çështje.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetare: Joniada Koçi