Pasaporta është një mjet që të ofron shumë liri për këdo që pëlqen të udhëtojë. Ndoshta do të mendoni se pasaporta amerikane, britanike apo ato të vendeve skandinave janë më të fuqishmet në botë, por gaboheni.

Një raport i “Henley Passport Index” ka treguar se cilat janë pasaportat më të fuqishme për vitin 2018. Dhe vendin e parë në botë e zë Japonia. Qytetarët japonezë mund të udhëtojnë pa viza në 190 vende të botës. Vendin e dytë e zë Singapori, me 189 destinacione në planet.

Gjermania renditet e treta. Në fillim të vitit, shteti gjerman mbante vendin e parë për pasaportën më të fuqishme, por tani ka kaluar e treta me 188 destanacione. Më pas vijnë Franca dhe Koreja e Jugut.

Uzbekistani hoqi vizat për shtetasit francezë me 5 Tetor, ndërsa në fillim të muajit Shkurt i kishte hequr vizat për Japoninë dhe Singaporin. Koresë së Jugut iu hoqën vizat nga Mianmari më 1 Tetor, ndërsa Paraguai hoqi vizat për Singaporin në vitin 2017. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë 186 destinacione në mbarë botën pa viza. Këto dy shtete renditen në vendin e pestë.

Nëse do të flasim për historinë më të madhe të kësaj dekade për lirinë e udhëtimit, merita i takon Emirateve të Bashkuara Arabe. Në vitin 2006 ndodheshin në vendin e 62, ndërsa tani renditen në vendin e 21. Rusia është në vendin e 47-të të shteteve më pasaportën më të fuqishme në botë dhe Kina në pozitën e 71, duke u ngjitur me 14 vende që prej fillimit të vitit 2017.

/tvklan.al