Ky është momenti kur autori i dyshuar i vrasjes së 58-vjeçarit, Renato Hoxha, largohet nga vendngjarja menjëherë pas ekzekutimit mëngjesin e së dielës në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës.
Pamjet që shihni janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugën ku ka kaluar autori i dyshuar, për të cilin policia po kryen hetime për t’i zbuluar identitetin e tij.
Siç duket edhe në këto video, ai është trup i shëndetshëm, e për të mos u identifikuar ka qenë tërësisht i maskuar.
I veshur sportiv, në kokë ka një kapele, fytyrën e ka të mbuluar me një maskë anti-covid dhe përpara mban një çantë krahë-qafë.
Ndonëse sapo ka kryer ngjarjen e rëndë, ai lëviz qetësisht dhe gjatë të gjithë kohës duar i mban në xhepa.
Pasi është larguar nga vendngjarja, burime bëjnë me dije se vrasësi ka lëvizur me një automjet në drejtim të zonës së Ksamilit.
Ky automjet është zbuluar nga hetuesit se është siguruar nga Eris Mehmeti, që shihni në këtë foto, tashmë i ndaluar nga policia.
Ai dyshohet se ka luajtur rolin e bashkëpunëtorit të vrasësit, i cili pas ngjarjes së rëndë ka zbritur në zonën e Ksamilit, e më tej, sipas dyshimeve, ka lëvizur nga aty me një taksi.
Renato Hoxhaj, i cili më herët ka mbajtur emrin Alfred, u qëllua me 3 plumba, sapo doli nga banesa e tij, mëngjesin e së dielës. 58-vjeçari punonte si roje në një objekt në ndërtim.
Nga verifikimet ai nuk rezulton të ketë patur precedent në të shkuarën, megjithatë policia dhe prokuroria nuk e përjashton mundësinë e ndonjë konflikti ku mund të ketë qenë i përfshirë viktima.
Tv Klan