Tensionet dhe përplasjet e orëve të mbrëmjes, që shoqëruan protestën e studentëve, e kanë detyruar ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, të dalë në një tjetër deklaratë brenda pak orësh, ku ka dënuar dhunën ndaj punonjësve të policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private në kryeqytet.

“Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.”

Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre.”

Teksa apelon për qetësi e vetëpërmbajtje, Demo kërkon nga uniformat blu që të veprojnë në përputhje me ligjin, të parandalojnë përplasje të tjera, si dhe të lejojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre në terren.

“Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet. Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri.”

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, tha se në spitale i është ofruar kujdes çdo personi.

“Në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) kanë marrë trajtim dhe janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues.”

Sulmet gjatë protestës së studentëve janë dënuar edhe nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila shkruan në rrjetet sociale se “dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje”.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka cilësuar mercenarë të dhunshëm të ushtrisë së vdekur të Sali Berishës të rinjtë që, sipas tij, sulmuan me gurë policinë dhe institucionet e shtetit.

Tv Klan

/tvklan.al