Bayern Munich po shqyrton mundësinë e rikthimit të sulmuesit Eric Choupo-Moting.

Sipas raportimeve të “Sky Germany”, klubi bavarez po vlerëson afrimin e 37-vjeçarit si një zgjidhje emergjente për repartin ofensiv.

Trajneri Vincent Kompany ka nevojë për një alternativë shtesë në sulm për sa kohë që Harry Kane qëndron jashtë fushave për shkak të dëmtimit. Sulmuesi kamerunas raportohet se është plotësisht i gatshëm të nënshkruajë një kontratë afatshkurtër deri në fund të sezonit.

Pasi luajti deri në moshën 31-vjeçare për klube si Hamburg, Mainz, Schalke dhe Stoke pa u konsideruar sulmues i nivelit të lartë, Choupo-Moting arriti të siguronte kontrata të rëndësishme me PSG-në dhe Bayernin.

Një rikthim në Mynih do të shënonte kapitullin e dytë të tij te gjigantët gjermanë, ku luajti më herët mes viteve 2020 dhe 2024. Në atë periudhë, Choupo-Moting regjistroi 38 gola dhe 13 asiste në 122 paraqitje, duke festuar gjithashtu fitimin e gjashtë trofeve.

/tvklan.al