Nelson Hysa pëson humbjen e parë në karrierën e tij profesioniste. Boksieri shqiptar u mposht nga gjermani Agit Kabayel në duelin për titullin botëror WBC, në peshat e rënda, të zhvilluar në Dyseldorf. 42-vjeçari shqiptar, i cili deri më tani numëronte 25 fitore në po aq ndeshje profesioniste, nuk arriti t’i bëjë ballë kampionit gjerman, i cili e mbylli përballjen që në raundin e dytë me nokaut teknik.
Hysa pati vështirësi që në raundin e parë, ku Kabayel realizoi goditjet më të forta. Situata u përkeqësua në raundin e dytë, kur shqiptari shfaqi probleme të dukshme me bërrylin e djathtë, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha.
Pavarësisht përpjekjeve për të vazhduar duelin, stafi i Hysës vendosi të hidhte peshqirin, duke i dhënë fund përballjes. Kabayel përfitoi nga momenti kur shqiptari ishte i pambrojtur dhe e goditi me të djathtën.
Për Nelson Hysën kjo është disfata e parë pas 25 fitoresh radhazi në boksin profesionist, ndërsa përballja me Kabayel ishte një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij.
Nga ana tjetër, 34-vjeçari gjerman ruajti rekordin e pamposhtur, duke regjistruar fitoren e 28-të në karrierë dhe duke mbrojtur titullin botëror WBC në peshat e rënda. Pas ndeshjes, Kabayel kërkoi përballje me emrat më të mëdhenj të boksit botëror, duke përmendur Daniel Dubois, Filip Hrgovic dhe fituesin e duelit mes Tyson Fury dhe Anthony Joshua.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
