Kur u duk se gjithçka po fliste në favor të tij, dëmtimi i ndal sërish hovin. Medon Berisha qëndroi në fushë për vetëm 8 minuta në fitoren e Lecce kundër Pizës, duke u larguar me barelë dhe mes lotësh, çka shkaktoi shqetësim te tifozët dhe stafi teknik. Pas përfundimit të sfidës, presidenti i klubit dha informacionet e para mbi gjendjen e mesfushorit.

Sipas të dhënave paraprake, dëmtimi mund të mos jetë i rëndë dhe dyshohet për një problem muskulor. Medon Berisha po kalonte një moment shumë pozitiv me skuadrën italiane, duke u kthyer në një titullar të padiskutueshëm.

Para këtij dëmtimi, ai kishte fituar plot tre herë çmimin “Lojtari i Ndeshjes” në Serie A, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe rëndësinë e tij për ekipin. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka luajtur në 13 nga 15 ndeshjet e këtij sezoni, teksa ka kontribuar me 2 gola dhe 3 asiste, për të qenë edhe ndër më efektivët në radhët e klubit puljez.

Në fitoren kundër Pizës, për 90 minuta në fushë qëndroi edhe mesfushori shqiptar, Ylber Ramadani, i cili u vlerësua me notën 7.4, për të qenë edhe në mesin e lojtarëve më të mirë në radhët e Lecces.

Klan News

/tvklan.al