Mesfushori i Barcelonës, Rodri iu nënshtrua këtë mëngjes ekzaminimeve mjekësore për të vlerësuar shkallën e problemit fizik që pësoi gjatë ndeshjes së Champions League kundër Aston Villa-s.
Kontrollet mjekësore kanë treguar se ai vuan nga një dëmtim në bicepsin femoral (pjesa e pasme e kofshës), gjë që do ta detyrojë të pushojë dhe të mungojë në ndeshjen kundër Atlético Madridit. Mesfushori nuk kishte bërë asnjë pushim që nga debutimi i tij me fanellën blaugrana, më 27 gusht, kundër Athletic Club.
Mesfushori madrilen, 30 vjeç, u zëvendësua në pushimin e pjesës së parë të ndeshjes kundër Aston Villa-s së Emeryt për shkak të shqetësimeve në këmbën e djathtë. Nëse kampionati do të luhet këtë fundjavë ai nuk do të jetë i gatshëm për duelin vendimtar që vlen për kreun e klasifikimit me Atletikon, por në fakt nuk dihet koha e saktë se sa do të qëndrojë jashtë fushave.
Lajmin e bëri të ditur vetë klubi katalanas duke njoftuar shkallën e dëmtimit të tij.
Rodri ka qenë i pranishëm në të gjitha ndeshjet e skuadrës katalanase, si në Champions League ashtu edhe në La Liga, që nga debutimi i tij më 27 gusht kundër Bilbaos. Ai ka grumbulluar gjithsej 945 minuta lojë.
Hansi Flick e konsideron atë një lojtar të pazëvendësueshëm për shkak të aftësisë së tij për të kontrolluar dhe rikuperuar topin, si dhe për të diktuar ritmin e lojës dhe të ndeshjeve. Për këtë arsye, ai ka pushuar shumë pak deri më tani.
Ndërkohë, Barcelona ka edhe disa futbollistë të tjerë në infermieri: Roony, Christensen, Olmo, Eric García, Koundé dhe Xavi Espart.
Asnjëri prej tyre nuk është rikthyer ende në stërvitje me grupin dhe të gjithë po vazhdojnë programin individual të stërvitjes.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
