Probleme për Rolando Maranin në prag të ndeshjeve të Kombëtares.

Trajneri kuqezi rrezikon të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, pasi Thomas Strakosha ka pësuar një frakturë në kyçin e dorës.

Portieri shqiptar do të mungojë për rreth tre ndeshje në kampionat me AEK-un, ndërsa rikuperimi i tij do të monitorohet me kujdes nga stafi mjekësor.

Ky dëmtim ka ngritur pikëpyetje edhe për praninë e tij në sfidat shtatorit në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria do të ketë nevojë për eksperiencën e tij mes shtyllave.

Pas fitores së AEK-ut ndaj LASK-ut në Ligën e Kampionëve, trajneri i skuadrës greke Marko Nikolic foli edhe për situatën e Strakoshës.

Ai konfirmoi dëmtimin e portierit shqiptar dhe dha detaje mbi gjendjen e tij.

“Lidhur me dëmtimin e Thomas, nuk duket të jetë diçka serioze. Ai do të humbasë tre ndeshjet e radhës, deri në pushimin e Kombëtareve. Në një moment, në ndeshjen kundër Aris, ai nuk i vendosi duart në pozicionin e duhur dhe pësoi një çarje të vogël. Nuk duket të jetë serioze, mund të kishte qenë diçka më e keqe”, tha trajneri i AEK, Marko Nikolic.

Strakosha është prej dy vitesh pjesë e grekëve të AEK-ut, ndërsa sezonin që mbaroi ai fitoi titullin kampion.

Klan News

/tvklan.al