“Huaja është negociuar njëherë, kërkohet rialokim i fondeve”

“Presidenti nuk duhet të vonojë projektet e zhvillimit dhe ecurinë e ekonomisë lokale dhe shqiptare për interesa politikë. Kemi çuar dy shkresa për dhënie autorizimi, e fundit në 2 Nëntor dhe përgjigjen e kemi marrë në 4 Janar.”

Anila Denaj i ka kërkuar Presidentit Meta përmes një konference për shtyp, që të mos bëhet pengesë për projektet e infrastrukturore, ndërsa sqaroi publikun se marrëveshja e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim ishte negociuar njëherë për termat që do të kishte si hua, ndërsa autorizimi i ri kërkohet vetëm ndryshimin e destinacionit të përdorimit të fondeve.

“Nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrimi të ri financiar për Republikën e Shqipërisë, jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave të negociuar më parë.”

Denaj tregoi dy raste të ngjashme disa muaj më parë, ku Presidenti ka dhënë plotfuqinë.

“Kjo shkresë konfirmon (paraqitur në monitor) përsëri firmën e zotit President në përputhje të plotë ligjore për të lëshuar autorizimin pa patur negocim, sikurse në rastin konkret kërkojmë prej disa muajsh.”

Rishpërndarja e fondeve për rrugën e Lumit të Vlorës për Ministrinë e Financave, u bë pasi projekti i hartuar fillimisht kishte kosto të lartë, e tashmë projekti është ripërshtatur dhe shumë shpejt banorët e Selenicës do të kenë rrugën e premtuar.

“Projekti i ri ekonomik është gati dhe FSHZH është në fazën finale për ta rakorduar financimin e tij.”

Çështja e dhënies së autorizimit nga ana e Presidentit Meta për përdorimin e shumës 30 milionë dollarë të një marrëveshje huaje nga Fondi Saudit për Zhvillim në projektin e rrugës Vlorë-Orikum dhe jo asaj të Lumit të Vlorës, përveç përplasjeve me Kryeministrin, ka sjellë një reagim të rrallë politik edhe nga ana e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Tv Klan