Një ditë pas dënimit me 81 vjet burgim nga Gjykata Speciale të katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, është thënë se të dy kanë diskutuar për rrugët dhe mënyrat që duhet ndjekur për ta korrigjuar vendimin e Speciales.
“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre, si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm. Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar.
Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës, sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviçit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi.”
Takimi ndodhi disa orë pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u ka kërkuar takim liderëve të subjekteve politike për të parë se çfarë mund të bëhet pas vendimit të Gjykatës Speciale.
I pyetur për ndonjë iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ai ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se duhet të veprojmë duke iu përshtatur një situate të re.
“Po qe se vjen e mund të vijë iniciativa ligjore në Kuvendin e Kosovës, normalisht që kemi nevojë për mbështetjen e subjekteve të tjera politike. PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave, ne do të procedojmë. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje me një situatë të re. Nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë e faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt, për çka edhe është krijuar Gjykata”, deklaroi Hamza.
Hamza e ka lënë të hapur mundësinë që të njohë legjitimitetin e këtij Kuvendi për shkak të ndryshimit të rrethanave.
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se hapat duhet të jenë të mirëmenduar.
Dënimi i katërshes së UÇK-së nga Gjykata e Hagës nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit politikë e institucionalë në Kosovë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 