Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të zhvillojnë mesditën e së premtes një protestë mbarëkombëtare në Prishtinë kundër vendimit tronditës të gjykatës, që dënoi me 81 vite burg Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Për këtë qëllim, përfaqësuesit e shoqatave të veteranëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së shpallën paraprakisht platformën e tyre të veprimit me kërkesat e tyre, ku kryesorja është ajo e shfuqizimit të ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Amendamenti i ligjit.. Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandumin Juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternative. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”, pohoi Fatmir Sopi, përfaqësues i OVL-së.

“Jetëzohet shfuqizimi i kësaj gjykate. Është kërkesa jonë e vazhdueshme që institucioni më i lartë në Republikën e Kosovës, Parlamenti i Kosovës, deputetët, ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve, të vlerësojnë mirë dhe ju e dini që kërkesa jonë e vazhdueshme ka qenë që të iniciohet zhfuqizimi i kësaj gjykate, e cila i ka bërë me vendimin mbi bazë pretendimesh, pa bërë të aprovuar asnjë fakt, asnjë argument, e ka dëmtuar rëndë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Xhavit Jashari, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të sigurohet mbështetje efektive për mbrojtjen në Apel sipas kornizës ligjore, për avokatë, ekspertë, hetues, analiza të provave, përkthime dhe ekspertiza të specializuara. Fondi i Solidaritetit duhet të shërbejë si mbështetje plotësuese, me auditim dhe transparencë të plotë”, tha gjithashtu Sopi.

Veteranët e luftës, përmes kësaj platforme, kërkojnë edhe mbajtjen e përgjegjësisë politike ndaj zyrtarëve për deklaratat publike të dokumentuara kundër UÇK-së.

“OVL-UÇK duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe largimin nga Qeveria të ministrave dhe zyrtarëve të cilët ekzistojnë të deklarata publike të dokumentuara se kanë akuzuar UÇK-në. Kërkesa duhet t’i drejtohet Kryeministrit si çështje e përgjegjësisë politike dhe besimit institucional”, u shpreh Sopi.

Kjo platformë do të paraqitet në protestën e së premtes dhe në të parashikohet edhe ngritja e një Këshilli Koordinues, me përfshirjen edhe të përfaqësuesve nga Diaspora.

Tv Klan

/tvklan.al