Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar sot në 16 shtator pas dënimit të katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se për Serbinë prioritet mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
Ai shtoi se shoqëritë duhet të përballen me krimet e kryera dhe se zgjidhja në të ardhmen duhet kërkuar përmes dialogut dhe mirëkuptimit.
Duke folur për vendimin e sotëm, Vuçiç tha se katër të akuzuarit janë dënuar përkatësisht me 25, 18 dhe 13 vjet burgim, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një aktgjykim të shkallës së parë.
Ai u ndal veçanërisht te pjesët e aktgjykimit që, sipas tij, lidhen me akuzat për krime kundër njerëzimit. Vuçiç pretendoi se trupi gjykues nuk ka konstatuar sulme sistematike ndaj popullsisë civile dhe tha se disa pika të akuzës për krime kundër njerëzimit nuk kanë përfunduar me shpallje fajësie.
Presidenti serb shfaqi gjithashtu fotografi që, sipas tij, dokumentojnë krime të kryera ndaj serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve jo-shqiptare, duke argumentuar se këto raste nuk janë përfshirë në përgjegjësinë penale të ish-krerëve të UÇK-së në këtë proces.
Vuçiç përmendi edhe krimet e pretenduara të kryera pas 20 qershorit 1999, duke thënë se ato nuk janë përfshirë në këtë aktgjykim për shkak të periudhës që pasoi vendosjen e KFOR-it dhe përfundimin e konfliktit të armatosur.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e njohur si “Shtëpia e Verdhë”, duke thënë se ajo nuk është pjesë e përgjegjësisë së përcaktuar nga ky vendim gjyqësor.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç u bëri thirrje qytetarëve në Serbi që të mos reagojnë me eufori ndaj vendimit, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar. Sipas tij, pas apelimit ekzistojnë edhe mekanizma të tjerë juridikë që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
“Nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të hidhërohemi”, tha Vuçiç, duke shtuar se vendimi duhet pritur me qetësi dhe se duhet të pritet përfundimi i të gjitha shkallëve të procesit.
Vuçiç shpjegoi se kishte pritur deri në orën 18:30 për të bërë deklaratën e tij, duke thënë se dëshironte fillimisht të dëgjonte reagimet e palëve të tjera.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Gjykata e Hagës dënoi në total me 81 vite burg ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Dënimet janë të shkallës së parë dhe palët kanë të drejtën e apelimit. Gjyqi u bë shkak që në Prishtinë dhe në qytetin holandez, ku u dha vendimi, të kishte protesta të fuqishme.
Vuçiç: Politikanët e rajonit me standarde të dyfishta, të dënuarit nga gjykata i cilësojnë heronj
Vuçiç tha se e kishte planifikuar qëllimisht fjalimin e tij për në orën 18:30, në mënyrë që të priste reagimet e liderëve politikë nga rajoni.
“Po prisja të shihja deklaratat e të gjithëve dhe që ju të shihnit se me çfarë problemesh po përballet Serbia sot dhe sa shumë hipokrizi po përballemi”, tha ai.
Fillimisht, ai lexoi reagimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili shprehu “trishtim të thellë” për vendimin e gjykatës dhe deklaroi se “për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk mund ta njollosë UÇK-në” dhe se “liria ka një emër”.
Deklarata e Begajt u publikua pas shpalljes së aktgjykimit.
“Vetëm imagjinoni sikur një prej zyrtarëve tanë të thoshte: ‘Liria ka një emër’ dhe të përmendte cilindo serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, tha Vuçiç.
Ai përmendi gjithashtu reagimin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pas shpalljes së aktgjykimit publikoi në rrjetet sociale fjalën “turp”.
Duke folur për reagimet nga Prishtina, Vuçiç citoi Albin Kurtin, i cili e cilësoi aktgjykimin si “një padrejtësi të papranueshme” dhe “një dënim të rëndë”, duke thënë se ai duhet të ndryshohet në procesin e apelimit.
Presidenti serb veçoi më pas një deklaratë të Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili e cilësoi aktgjykimin “jashtëzakonisht të padrejtë” dhe tha se “çdo shqiptar e mban në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së”. Gjeloshaj deklaroi gjithashtu se beson se vendimi do të ndryshohet përpara instancave më të larta gjyqësore.
Vuçiç pyeti nëse deklarata të tilla do të kenë pasoja për integrimin evropian të Malit të Zi.
“A do ta ndalojnë integrimin evropian sepse pështyjnë mbi aktgjykimin, mohojnë sundimin e ligjit? Apo kjo vlen vetëm për serbët?”, pyeti Presidenti serb.
Ai iu referua gjithashtu reagimeve të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
“Dhe unë mendoja se ata ishin kriminelë, të paktën të dënuar në shkallë të parë. Jo, ata janë të gjithë çlirimtarë dhe heronj”, tha Vuçiç.
Ai iu referua gjithashtu qëndrimit të diplomacisë kroate, duke deklaruar se Zagrebi mbajti një qëndrim të njëanshëm.
Vuçiç vlerësoi se këto reagime tregojnë edhe një herë se viktimat serbe po shtypen nga narrativa publike dhe politike.
“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo komunikatë, në çdo deklaratë”, tha Presidenti i Serbisë. “Nëse nuk i kujtojmë viktimat tona, askush nuk do t’i kujtojë”
Vuçiç tha se reagimet që pasuan aktgjykimin përfaqësojnë, sipas tij, një mësim të rëndësishëm për Serbinë sa i përket kulturës së kujtesës.
“Ashtu siç kemi zhvilluar një kulturë përkujtimi, duke respektuar gjithmonë viktimat e të tjerëve, por duke zhvilluar gjithashtu një kulturë përkujtimi për viktimat tona, edhe në këtë çështje do të duhet të bëjmë ende shumë.
Sepse, nëse nuk i kujtojmë viktimat tona, askush nuk do t’i kujtojë kurrë. Askush nuk do t’i përmendë madje”, tha presidenti i Serbisë.
Ai vlerësoi se reagimet nga rajoni tregojnë ekzistencën e standardeve të ndryshme ndaj serbëve dhe popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë.
“Mund të kesh aktgjykime të formës së prerë dhe jo të formës së prerë, nuk ka rëndësi. Serbët do të jenë gjithmonë kriminelë, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë çlirimtarë, heronj dhe heroina”, tha Vuçiç
Presidenti serb e përfundoi fjalimin e tij me mesazhin se, pavarësisht gjithçkaje që kishte thënë, politika e Serbisë duhet të mbetet e përqendruar në ruajtjen e paqes dhe vazhdimin e dialogut.
Ai vlerësoi se ishte gabim që, sipas tij, komuniteti ndërkombëtar lejoi ndërprerjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve në Kosovë përmes veprimeve të njëanshme dhe të dhunshme.
“Ne besojmë se dialogu është gjithmonë një zgjidhje më e mirë se çdo konflikt dhe duam që dialogu të vazhdojë”, tha Vuçiç.
Serbia, shtoi ai, do të vazhdojë të dialogojë me të gjitha vendet dhe popujt e rajonit, pavarësisht dallimeve dhe fjalëve të ashpra.
“Këta janë njerëz me të cilët jetojmë, me disa së bashku, me disa si fqinj. Do të duhet të përpiqemi t’i përmirësojmë këto marrëdhënie, por jo në një mënyrë që ne vetëm t’u shërbejmë atyre ose që ata të mendojnë se mund ta poshtërojnë dhe në fund ta mposhtin Serbinë”, tha Vuçiç.
Sipas tij, marrëdhëniet në rajon mund të përmirësohen vetëm përmes dialogut të civilizuar dhe respektimit të interesave legjitime të të gjitha palëve.
“Çdo bisedë dhe çdo dialog është shërues dhe besoj se është gjithmonë më mirë se çdo gjë tjetër”, përfundoi Presidenti i Serbisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
