Pas tragjedisë me 6 viktima e disa të plagosur, dëshmitarët në Sydney të Australisë “hedhin dritë” mbi ngjarjen që ndodhi mëngjesin e sotëm në një qendër tregtare. Shumë prej tyre tregojnë dinamikat e kaosit, e të tjerë tmerrin që iu panë sytë…

“U bë kërdia!”, tha një prej dëshmitarëve, i cili ndodhej në një kafene aty pranë me dy fëmijët e tij të vegjël kur filloi sulmi. Një dëshmitar tjetër, Jason Dockson, tha se ka dëgjuar ulërimat e njerëzve dhe i ka parë teksa vraponin të tmerruar. Ai tregon se autori mbante një thikë të madhe në dorë dhe vraponte në drejtim të njerëzve.

Gjithçka dëgjova ishte ‘lëshoje në tokë’, më pas e qëlluan”, tha Dockson.

Johnny thotë se e pa me sytë e tij momentin kur u sulmua një grua bashkë me fëmijën e saj.

Ai po e godiste me thikë, të gjithë ishim në shok. S’dinim çfarë të bënim”, shpjegon i riu. Më pas sipas tij, gruaja e plagosur arriti të futej në dyqanin “Tommy Hilfiger”, ndërsa stafi i qendrës tregtare mbylli dyert.

“Disa nga njerëzit që ndodheshin brenda u përpoqën të ndalonin gjakderdhjen me rroba. Foshnja kishte një plagë të vogël, ndërsa e ëma ishte në gjendje të rëndë. Kishte shumë gjak, ajo po panikosej”, rrëfen Johnny.

Rashdan Aqashah, i cili po punonte në njërin prej dyqaneve tregon se pa një person duke u konfrontuar fizikisht me autorin. 19 vjeçari shton se ishte mbyllja e dyerve ajo që i shpëtoi jetën, pasi autori gjendej m’u përballë…

Huma Hussainy dhe Mohamad Naveed shpenzuan 45 minuta tmerri duke u fshehur në dhomën e ndërrimit. Autori ishte pak metra larg! Huma tregon se pa dy gra të shtrira në tokë, të mbuluara me gjak.

Shumë të tjerë rrëfejnë se kanë arritur të shpëtojnë mrekullisht, për pak minuta.

Prej sulmit mbetën të vdekur 6 persona e u plagosën 7 të tjerë, të cilët janë në gjendje të rëndë në spital. Paraprakisht nuk dyshohet për akt terrorizmi, edhe pse motivi është i paqartë./tvklan.al