Jo vetëm në Afganistan ka arritur pak politika e ndërhyrjes perëndimore. Edhe në Irak dhe në Libi sukseset e saj duken mjaft modeste.

Tërheqja e trupave të NATO-s nga Afganistani është në zhvillim e sipër. Vendi, të cilin ato po e lënë është larg kushteve të qëndrueshme demokratike, talibanët kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit. Edhe një herë tjetër, politikanëve dhe strategëve perëndimorë iu desh të pranojnë se kultura politike e një rajoni nuk mund të ndryshohet si në një tabelë vizatimi. Ajo që duket mirë në teori – siç është kushtetuta afgane progresive dhe me pamje liberale e miratuar në vitin 2004 – thuajse nuk ka efekt në terren.

Pritje të mëdha

Afganistani nuk është i vetmi vend, në të cilin ndërhyrjet perëndimore nuk i arritën qëllimet që i kishin vënë vetes. Edhe Iraku është një vend i shpresave të dështuara – të paktën krahasuar me pritjet e shpallura pas invazionit të SHBA në vitin 2003. “Ngritja e një Iraku të lirë në zemër të Lindjes së Mesme do të jetë një pikë kthese në revolucionin demokratik global,” deklaroi në nëntor 2003 Presidenti i SHBA George Bush. Sot, Iraku po lufton për të fituar pavarësinë e tij nga fqinji i tij i fuqishëm Irani.

As në Libi nuk u përmbushën shpresat pas rrëzimit të mbështetur nga NATO-ja të diktatorit të atëhershëm Muammar al-Gaddafi. Vetëm kur të ndodhë kjo përmbysje “mund të fillojë me të vërtetë një tranzicion i vërtetë nga diktatura në një proces kushtetues gjithëpërfshirës”, shkruan presidentët e SHBA dhe Francës Barack Obama dhe Nicolas Sarkozy dhe kryeministri Britanik David Cameron në një letër të përbashkët në prill 2011. Ajo që pasoi rrëzimin e Gaddafit ishin dhjetë vjet luftë. Vetëm në vitin aktual palët ndërluftuese kombëtare qenë në gjendje të bien dakord për një kushtetutë dhe për zgjedhje parlamentare në dhjetor 2021.

Cila është arsyeja për këto dështime, ose të paktën suksese modeste krahasuar me pritjet? Arsyeja kryesore është mospërputhja midis aspiratave të shteteve ndërhyrëse dhe realitetit politik në terren. Në “Historinë e Afganistanit”, studiuesi gjerman i paqes dhe konflikteve, Conrad Schetter përshkruan vështirësitë themelore me të cilat përballen shtetet perëndimore. Këto përfshijnë, ndër të tjera, “mjedisin natyror refuzues, konfliktin midis zonave urbane dhe rurale, partikularizmin ekstrem, heterogjenitetin kulturor”.

Kësaj i shtohen përfytyrime të ndryshme shoqërore të shtresave të ndryshme të shoqërisë. “Imponimi i të drejtave të njeriut dhe demokracisë, si dhe barazia e grave, për shoqërinë kryesisht urbane duhet të bëhen sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa pjesë të mëdha të popullsisë rurale i konsiderojnë këto parime joislamike,” shkruan Schetter. Kjo është arsyeja pse talibanët mund të shpresojnë për një mbështetje të gjerë, veçanërisht në zonat rurale të Afganistanit jugor.

Islamologu Stefan Weidner pajtohet: “Negocimi me talebanët tani është e barabartë me një disfatë, kur për 20 vjet me radhë u ke mësuar afganëve të drejtat gjermane të grave dhe sundimin gjerman të ligjit nën mbrojtjen e Bundeswehr-it.” Në përgjithësi, thotë Weidner, shtetet perëndimore kanë vendosur objektiva shumë të larta dhe shumë utopike, jo vetëm në Afganistan, por edhe në Libi dhe në Irak.

Investim i madh, rezultat modest

Për të arritur qëllimet e tyre, shtetet perëndimore dhe institucionet ndërkombëtare kanë investuar shuma gjigande dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë pavarësisht tërheqjes së trupave: një konferencë virtuale e donatorëve për Afganistanin nëntorin e kaluar mblodhi një shumë të përgjithshme prej rreth 10.1 miliardë eurosh. Paratë do të derdhen gjatë katër viteve të ardhshme.

Shpenzimet e përfshirjes në zonat e luftës dhe krizës çojnë megjithatë në një iluzion optik, thotë eksperti i Lindjes së Mesme Daniel Gerlach, bashkëbotues i revistës “Zenith – Revistë për Orientin”. Nga paratë e përdorura, te populli arrin shpesh vetëm një pjesë e vogël si ndihmë për rindërtim, sepse personeli, zyrat dhe siguria janë shumë të shtrenjta atje, tha Gerlach në një intervistë me DW. “Kur punonjës perëndimorë apo edhe një diplomat i rangut të lartë marrin rrugën për një projekt, për të krijuar përshtypje për gjendjen e tij, autokolonat e blinduara dhe rojet e armatosura të sigurisë bëhen të detyrueshme.” Një vizitë e tillë  kushton disa mijëra euro në ditë.

Zotërinjtë e natës

Kjo vetëmbrojtje shpesh e nevojshme bën që ushtarët ta kryejnë funksionin e tyre mbrojtës vetëm në një masë të kufizuar në zona krize si Afganistani, vazhdoi Gerlach. “Kjo vlen jo vetëm, por sidomos natën: atëherë ushtarët janë në kampet e tyre, dhe talibanët në fshatra.” Në orët e natës, talibanët u shpjegojnë banorëve se çfarë prisnin prej tyre. Po të mos i përmbushin fshatarët ato pritje, talibanët kthehen përsëri, me mjete më të mëdha presioni, thotë ai. “E njëjta situatë ndodhi në Irak disa vjet më parë. Atje forcat e sigurisë sundonin ditën dhe ‘Shteti Islamik’ “(IS) natën – me pasoja të krahasueshme”.

Vendime të gabuara në Irak

Fuqitë e ndërhyrjes gjithashtu bënë gabime thelbësore në Irak. Pasi marshoi atje në vitin 2003 “koalicioni i vullnetarëve”, administratori civil i SHBA për Irakun, Paul Bremer, mori një seri vendimesh të rëndësishme. Ai privatizoi ndërmarrje shtetërore, shpërbëu Partinë Baath të dominuar nga diktatori i rrëzuar Saddam Hussein dhe shpërbëu ushtrinë irakiane. Si rezultat, mijëra e gjetën veten të privuar nga baza e tyre ekonomike. Disa nga ata që nuk u mjaftuan me zhgënjim dhe mospëlqim të fuqive ndërhyrëse, u kthyen në grupe xhihadiste, kryesisht Al Qaeda dhe Shteti Islamik, të cilat përfshinë vendin me një valë të paparë dhune.

“Aventura irakiane do të kishte përfunduar më mirë nëse do të ishte kryer nga aktorë të përgjegjshëm, më pak ideologjikë, më pak të interesuar për sigurinë e tyre”, thotë islamologu Weidner. E gjitha do të kishte kaluar me pasoja më pak katastrofike, po të ishin përfshirë edhe shtetet fqinjë, në vend që ata të kërcënoheshin duke i quajtur’bosht të së keqes’. “Do të kishte hasur në më pak kundërshti nëse një pjesë e irakianëve – domethënë të gjithë ata që kishin bashkëpunuar në një farë mënyre ose duhej të bashkëpunonin me Sadamin – nuk do të qe shpallur armike dhe pa të drejta.”/DW