Nikolla përjashton Bashën nga seanca, pasi bllokoi foltoren

Pas 5 muajsh kaos, palët politike mbajtën fjalimet e tyre në foltoren e parlamentit pa tymuese dhe zhurmues. Reforma Zgjedhore ishte pika e parë e përplasjes mes opozitës dhe mazhorancës, por edhe mes deputetëve të PD. Në këtë seancë dukej qartë dhe dëshira e madhe e deputetëve për të mbajtur fjalimet e tyre.

I pari që ngriti akuzat për dështimin e “Zgjedhores” ishte vetë bashkëkryetari i reformës Enkelejd Alibeaj.

Enkeled Alibeaj: Do duhet të jetë një parlament me normalitet real, anormaliteti vijon sepse gjithë salla hesht për një ngjarje që do duhet të ndodhte sot. 21 Mars, dita e fundit e Komisionit të Reformës Zgjedhore, nuk e shoh as zotin Gjiknuri.

Akuzat e Alibeajt morën përgjigje nga kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi: Në skadim të këtij komisioni të turpshëm që për 22 muaj nuk u zhvillua asnjë mbledhje dhe bënë sikur punuan, sot duhet t’i mbajë përgjegjës nga i pari tek i fundit për dështimin e Reformës Zgjedhore.

Komisioni i Reformës Zgjedhore u cilësua i dështuar edhe nga drejtuesi i grupit të PS, Bledi Çuçi, i cili theksoi se mazhorancës nuk mund t’i imponohen propozimet e opozitës.

Bledi Çuçi: Çfarë komisioni konsensual mund të ngrihet mbi këtë premisë, kur pakica vjen me një draft dhe thotë këto janë kushtet tona, po doni merrini, po doni lejini. Ne po presim rekomandimet, do ti shqyrtojmë.

Këto akuza acaruan Lulzim Bashën, i cili edhe pse me buzëqeshje gjatë aksionit të tij nuk lejoi vijimin e radhës së folësve në parlament.

Kjo bëri që kryeparlamentarja Lindita Nikolla të vendoste përjashtimin e tij nga seanca.

Pas kësaj Basha i vijoi akuzat ndaj grupit parlamentar të PD dhe PS jashtë parlamentit, por edhe këtë ketë herë nuk munguan gafat.

“Nuk ju thotë fjala një gojë, nuk ju thotë goja një fjalë.”

Afati i punimeve të komisionit të reformës përfundoi këtë enjte, ndërsa pritet që puna për “Zgjedhoren” të vijojë nëpërmjet grupit të punës në Komisionin e Ligjeve i ngritur në kuadër të marrëveshjes mes PD dhe PS.

Klan News

/tvklan.al