Izraeli: Ofensiva do të ndalojë kur të jetë arritur objektivi

Lëvizjet diplomatike për një armëpushim në konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve morën vrull pasi presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje për ç’tensionimin e situatës, por në anën tjetër Izraeli vazhdoi bombardimin e Gazës dhe Hamasi rifilloi sulmin me raketa pas një pushimi të shkurtër.

Një zyrtar i lartë i grupit militant Hamas parashikoi një armëpushim brenda disa ditësh. Por një ministër izraelit tha se ofensiva do të ndalojë kur të jetë arritur objektivi. Sulmet me raketa pushuan për rreth tetë orë mëngjesin së enjtes dhe rifilluan me shënjestrimin e komuniteteve pranë kufirit Izrael-Gaza.

Izraeli vazhdoi sulmet ajrore dhe u zotua të parandalojë sulme në të ardhmen nga grupi islamik. Herët mëngjesin e së enjtes, ushtria izraelite shënjestroi depo municioni në Gaza pranë shtëpisë së një zyrtari të Hamasit si dhe infrastrukturën ushtarake.

Që prej fillimit të luftimeve më 10 Maj, zyrtarët e shëndetësisë në Gaza njoftuan vdekjen e 228 palestinezëve ndërsa bombardimet ajrore kanë thelluar krizën humanitare në enklavë.

Në Izrael bilanci i viktimave është të paktën 12, ku raketat e vazhdueshme të Hamasit kanë shkaktuar panik.

Presidenti Biden i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të ç’tensionojë situatën. Një zyrtar egjiptian i sigurisë tha se të dy palët kanë rënë dakord për një armëpushim, por hollësitë nuk janë përcaktuar ende.

Televizioni Al Jazeera raportoi se i dërguari i Kombeve të Bashkuara Tor Wennesland ka takuar shefin e Hamasit, Ismail Haniyeh.

Klan News